Pothuajse e sfidoi të pamundurën, por vdiq nga rraskapitja dhe dehidratimi eksploratori britanik, Henry Worsley ndërkohë që kërkonte të arrinte më këmbë, i vetëm dhe pa ndihmë, Antarktidën, duke u përpjekur në një sipërmarrje që akush nuk e kishte arritur më parë.
Sipas BBC-së, ish-ushtaraku 55-vjeçar, mik i princërve britanikë William dhe Harry, ishte në udhëtim që prej 71 ditësh dhe pak kilometra nga arritja e qëllimit, kur u detyrua, në kushte të jashtëzakonshme, të lëshonte një sinjal ”sos”.
Një ekip shpëtimi e gjeti dhe e dërgoi në një spital në Punta Arenas, Kili, gjendja e tij fizike ishte përkeqësuar shumë dhe mjekët nuk arritën ta shpëtonin.
”Demonstroi kurajo të madhe dhe vendosmëri dhe ne jemi krenarë që kemi bashkëpunuar me të. Humbëm një mik që do të jetë një burim i madh frymëzimi për të gjithë ne”, thanë William dhe Harry.
”Kam qenë me fat që njoha Henryn”, deklaroi ish-futbollisti, David Beckham.
Worsley, ish-ushtarak në Afganistan, me sipërmarrjen e tij kërkonte grumbullimin e parave për fondacionin ”Endeavour”, që u vjen në ndihmë ushtarakëve të sëmurë dhe të plagosur.
Udhëtimi i tij ishte parashikuar i gjithi më këmbë, pa asnjë lloj ndihme. Ai do të zgjaste 75 ditë, ndërkohë që Worsley kishte ushqim për 80 ditë. I duheshin edhe 48 kilometra pasi kishte përshkuar 1 600 të tilla duke duruar temperatura deri në minus 40 gradë Celsius si edhe erërat e akullta të Antarktidës.
Gjendja e tij shëndetësore ishte përkeqësuar nga një peritonit bakterial që mjekët nuk arritën dot t’ia ndalonin.
Për kurajon dhe vendosmërinë e tij, Worsley të kujton eksploratorët e mëdhenj të së kaluarës, të cilët kishin sfiduar Polin e Jugut, si Ernest Shackleton, Roald Amundsen dhe Robert Falcon Scott.
Diskutime rreth kësaj post