Numri i të infektuarve me koronavirus në qytetin e Krujës vazhdon të rritet, Mjeku Adrian Mata u shpreh për ABC News se duhet të ishte bërë një karantinim edhe i familjarëve për bërë të mundur një parandalim të përhapjes së COVID-19.
“Deri në momentin kur nuk kishte probleme në fasoneri kishim vetëm 5 të infektuar në Krujë, por më pas numri filloi të ketë rritje drastike. Kjo ka ardhur si pasojë e mosmbylljes së fasoneve, por edhe si pasojë e shtimit të tamponëve gjë e cila u bë vetëm falë mediave që kërkuan rritjen e numrit”, u shpreh ai.
Puna në fasoneri sipas tij duhet të ishte ndërprerë.
“Do të duhet që në Krujë të hapej një spital Covid-3 për raste të tilla. Në 30 raste që janë ripërsëritur, 3-4 persona sërish rezultojnë pozitiv. Duhet të vlerësojmë problemin e distancimit.
Në fasoneri besoj nuk janë kushtet e higjienës për ta përballuar një infeksion të tillë. Pavarësisht se nevoja për punë, ana financiare i detyron të shkojnë në punë. Duhet një grup punë që të krijojë mundësinë që punonjësit të ruajnë distancimin dhe të kenë nivele të larta të kushteve higjieno -sanitare. Ky është një virus që prek të gjitha organet, por gjen më shumë terren te prekja e mushkërive.
Çdo periudhë stine të gripit që janë të përvitshme shpeshherë popullata e kalon thjeshtë me simptomatikë. Ky virus mund të ketë qarkulluar edhe në periudhën e gripit në fund të janarit apo në fillim të shkurtit”, tha Mata.
Ndër të tjera ai shtoi se Kina e izoloi virusin në të gjitha drejtimet, ndërsa shtoi se duhet të ishte izoluar edhe në vendin tonë që në fillimet e saj, pra sipas tij rregulli duhet të ishte më i fortë.
“Do të këshilloja që qytetarët të mos shkëpusin marrëdhëniet me mjekun e familjes, të kontaktojnë 127 dhe gjithashtu të ruajnë distancimin social për të evituar përhapjen e këtij infeksioni”, u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post