Nga Arben Duka
Disa xhinde do më kallin,
në një pus të thellë me gurë,
po s’u thashë një këngë për Ballin,
jashtë nuk do më nxjerrin kurrë!
Ju nuk e kuptoni dot,
sa të madh e kam unë hallin,
edhe të kërkosh-është kot,
se s’gjen dot një këngë për Ballin!
Xhindet që më kanë burgosur,
s’e kanë fare me shaka,
do rri në pus i vulosur,
sepse Balli këngë s’ka!
Për të zgjidhur meselenë,
bëra vetë një me pahir,
xhindet ma kapën hilenë:
“S’është nga lufta-more bir!”
Nisi një xhind e më talli,
do të vulosesh përjetë,
po s’na the një këngë Balli,
që emra trimash të ketë!
Kështu fati më qe thënë,
nuk ka Zot që ma zgjidh hallin,
më kollaj të shkosh në Hënë,
se të gjesh një këngë për Ballin!
Ata që më kishin kallur,
nuk lëshonin pe një fije:
“S’duam këngë me Ball të tallur,
po një këngë trimërie!”
Po të tilla këngë s’ka,
nisa xhindet që t’i lus,
po ata s’dinin shaka,
dhe më vulosën në pus!
Pusi qe i errët shumë,
terr e lagështi për dreq,
po meqë sherr s’bëra unë,
xhindeve u erdhi keq!
Pesë a gjashtë erdhën plot,
folën nga një vrimë e zezë:
“Meqë këngë s’gjete dot,
duhet të gjesh një varrezë!”
Po kjo s’është fare problem,
u thashë unë me siguri,
e pastaj nisa t’ju them,
me dhjetëra në Shqipëri.
Mos u ngut-o qerrata,
se ende s’ta kemi thënë,
nuk i duam me këta,
po me ballistë që kanë rënë!
Si duket fati s’më ndiu,
që duart t’i jepja hallit,
ku ta gjeja unë i ziu,
varrezë me dëshmorë të Ballit?!
Edhe Balli ka dëshmorë,
u fola nga vrimë e zezë,
po askush nuk i ka mbledhur,
të prehen në një varrezë!
Bam e bum ma bënte zëmra,
se isha në hall vërtetë,
po hop u zgjova nga ëndrra,
mbytur në djersë e siklet!
Po një palo ëndërr ishte,
që mezi kishte të sosur,
për një këngë që Balli s’kishte,
do jetoja i vulosur!
Diskutime rreth kësaj post