Analisti Lorenc Vangjeli me anë të një shkrimi ka komentuar situatën në vend. Sipas Vangjelit janë tre sfida kryesore që kërkojnë të adresohen në mënyrë urgjente siç janë demografia, shpopullimi masiv i vendit, pabarazia gjithmonë e më e madhe në shpërndarjen e të ardhurave dhe mjedisi në degradim.
“Në Tiranë, në Prishtinë, në Tetovë dhe kudo gjetkë që jetojnë, në diasporën e vjetër apo emigracionin e ri, shqiptarët i bashkon një model i njëjtë ankese: kurrë ndonjëherë nuk ka qenë më keq se sot! Aq sa gati krijohet bindja se Shqipëria ishte Zvicër e paqtë në të gdhirë dhe u ngrys befas në ferr ballkanas. Një ferr i mbrapshtë ku ankohen njëlloj edhe milionerët, edhe skamorët e skajshëm. Ankesa është sport etnik në Ballkan, kurse e vërteta është si gjithmonë e barazlarguar nga skajet ku e çojnë “optimistët” që qeverisin dhe “pesimistët” që qeverisen. Njëlloj edhe në Beograd e Athinë, Shkup e Podgoricë, Sofje apo gjetkë në gadishullin kapriçioz!
Shkaqet për pakënaqësi kudo në këtë hapësirë janë të pafundme. Që nga shtrenjtimi i kostos së jetesës, tek jetesa në pasigurinë e përditshme dhe deri tek përditshmëria e errët që afron politika e ditës. Në sinoret e shqipes, në një vështrim në 360 gradë të jetës së shqiptarëve, afrohen arsye pafund që të shqiptohet fraza e frikshme, por e pavërtetë: “Më keq nuk bëhet!”, pavarësisht se e keqja është si universi, është thjesht e pafundme!
Sfidat e çastit që tmerrojnë të tashmen dhe e bëjnë të duket e zymtë e ardhmja, megjithatë janë ato për të cilat flitet më pak. Ato janë trashëguar nga e shkuara dhe gjasat janë që do t’i trashëgohen edhe të ardhmes. Kërcënimet reale ndaj shqiptarëve nuk kanë të bëjnë me gallatën dramatike në opozitë, “U shit, po kush e bleu, është Saliu i parë apo Alibeu?”. Ato nuk kanë lidhje as me tonin prej ati të kombit nga Rama, “Vetëm unë e bëj Shqipërinë!”. Ato nuk kanë lidhje as me pasqyrat shpesh të deformuara të ekraneve të televizionit, rrjeteve sociale dhe portaleve më të shumtë se kërpudhat në pyll.
Nguti për të konsumuar gavetën e ditës, shmang gishtat që tregojnë plagët reale të së sotmes dhe projeksionin e tyre dramatik në të nesërme.
Tre janë sfidat kryesore që kërkojnë të adresohen në mënyrë urgjente. Demografia, shpopullimi masiv i vendit, pabarazia gjithmonë e më e madhe në shpërndarjen e të ardhurave dhe mjedisi në degradim. Të tre këto sfida janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe ato nuk mund të vihen në rrugën e zgjidhjes të vetme dhe pjesërisht. Vetëm mendje të emancipuara politikisht dhe qasje patriotike, sado patetik të duket ky term, mund të japin një shans fillimisht për t’u kuptuar si të tilla dhe më pas, ndoshta edhe për t’u zgjidhur.
Mbi 200 mijë shqiptarë të larguar në 6 vite, kryesisht të rinj dhe qytetarë që gjithmonë e më shumë, i përkasin shtrresës së mesme, janë këmbana më serioze e alarmit që nesër do të kujtojë funeralin e shumë shpresave të zhgënjyera. “Të ikim për hir fëmijëve që mos u rrëshkitur jeta siç na ka shkarë ne!”, është justifikimi fatkeq i prindërve që gjithsesi, në Teksas apo Romë, në Berlin apo në Londër, do të jenë sërish emigrantë në pritje të integrimit dhe fëmijët e tyre, do të quhen gjithmonë fëmijë emigrantësh.
Kush mendon se ky eksod masiv bëhet për faj të Edi Ramës, hedh një gur më shumë në pusin e marrëzisë dhe thjesht mbush gavetën e ditës me propagandë. Arsyet janë shumë më komplekse dhe ato nuk lidhen me një qeverisje të vetme. Një aritmetikë e thjeshtë e bën të pamundur të ardhmen e një studenti për të jetuar në Shqipëri, sa kohë që Presidenti dhe Kryeministri i tyre, duhet të shpenzojnë kokërr më kokërr, çdo kokërr qindarke të rrogës së tyre prej rreth 20 e ca mijë euro në vit, për të blerë vetëm pas katër vjetësh një garzonierë në Tiranë. Natyrisht pa bërë as një shpenzim tjetër, as për aspirina dhe as për parfume.
Ka një urgjencë të lemerishme lufta kombëtare për të bërë te mundur që 30 vjeçarët të mos kthehen në Shqipëri vetëm për të qarë në varret e gjyshërve të tyre, por që të mbeten këtu për të lindur shqiptarët e gjeneratës së ardhshme që do të bënin krenarë gjyshërit për pasardhësit! Pikë së pari duke ju treguar sesi mund të mos jenë preja e tregut kaotik që sillet si gjahtar me ta. E paralelisht, është e nevojshme kura sociale për krizën morale që e sheh varfërinë si krim te paamnistueshëm dhe paranë si amnisti për çdo krim.
Nuk ka pasur ndonjëherë më shumë të drejtë opozitari i djeshëm Edi Rama, kur fliste për një përqindësh gjithmonë e më të pasur, ndërkohë që pjesa tjetër, shumica e shumicës së mbetur, mezi plotëson kushtet minimale të jetesës. Aritmetika sërish nuk ndihmon në arsyetim. Dikush që ka dhjetë milion euro në xhep dhe një tjetër që jeton me dhjetë euro në ditë, kanë mesatarisht së bashku pesë milion e pesë euro, por kjo është një e pavërtetë që lumturon vetëm statistikat. Ajo nuk ngop me bukë fatkeqët dhe nuk ju heq pasaportën e arratisë nga xhepi shqiptarëve që venë këmbët aty ku ju shohin sytë.
Sot, Edi Rama kryeministër, është i detyruar të bëjë matematikë politike. Ndryshe, shkëlqimi i tij kur flet anglisht, do të jetë i mjaftueshëm me bastin e tij me historinë shqiptare. Një sistem krejt tjetër taksimi, një luftë frontale me standartet e shumëfishta dhe një sjellje e ndryshme me pronën e përbashkët që është e tillë edhe kur ndodhet në xhepa “oligarkësh”, janë vetëm nisja, por jo bitisja e luftës. Është edhe betejë për votën! Po kështu, ndeshja me lekun e pistë, që zhvlerëson edhe lekun e ndershëm, ngado që të vijë, është beteja që duhet luftuar domosdoshmërisht, pa shans të quhet fitore edhe kur del barazim.
Dhe së fundmi mjedisi. Nëse “auditohet” pasuria e shumicës dërmuese të një përqindshit shqiptar, ajo është e lidhur me shumë fije me atë që ka qenë kryesisht pronë e përbashkët: toka. Herë me të drejtë dhe shumë më shumë herë me spekulim, toka dhe zhvillimi i saj me ndërtim, ajo në bregdet apo në qytetet kryesore, në qendrat kaotike apo periferitë dikur të virgjëra, janë në themel të milionave të pasanikëve shqiptarë. Duke i shndërruar shqiptarët e tjerë në klientë të tyre, por për më keq akoma, duke i zhvilluar ato në shumicën dërmuese të rasteve, në mënyrën më kriminale të mundshme. Të gjithë së bashku, duke nisur që me ligjin kriminal 7501 që fragmetarizoi Shqipërinë dhe deri tek krimi ligjor i legalizimeve që e bastardoi Shqipërinë, dëshmuan se veç e veç shqiptarët individualistë janë individë të fortë, por së bashku, ata nuk dinë të ndërtojnë komunitet, të krijojnë komunitet dhe të jetojnë si qytetarë në komunitet.
Këto janë tre sfida urgjente që duhen fituar në emër të të gjithëve. Ndryshe, shqiptarët krenarë nga Tirana, por edhe nga Prishtina, Tetova e kudo gjetkë dhe ku hallet janë njëlloj, do të shohin sesi së bashku ata janë viktima të paditurisë për të bërë shtet. Ata do të mallkohen që të ndjekin njëri-tjetrin në lojën e turpshme “Porta Potty”, që e bëjnë një grusht njerëzish ndaj shumicës dërmuese të pjesës tjetër! Nesër do të jetë vonë!”-shprehet Vangjeli.
Diskutime rreth kësaj post