Deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji është përballur sot me Apelin ku ka kërkuar pafajësinë, nën akuzën e ‘kallëzimit të rremë’.
Ai akuzohet lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës.
Por vendimi i Apelit për ta shtyrë datën e gjyqit me dy javë, ka sjellë edhe reagime të ndryshme. Analisti Lorenc Vangjeli tha sot se Salianji është rasti tipik i politikanit që kërkon të bëhet gjahtarë, por përfundon në pre. Ai shtoi se historia e ‘Babales’ ka të përfshirë shumë aktorë të tjerë, ndërsa sa i përket deputetit demokrat, Vangjeli tha se ai nuk rrezikon veç 1 vit burgim por edhe mandatin.
“Ferrnajë e pafundme e politikës shqiptare, shpesh e populluar nga lepuj dhe kafshë të së njëjtës natyrë, në këtë rast ndodh ajo çka është kulmi i ëndrrës së zakonshme kur gjahtari kthehet ne pre. Zoti Salianji e nisi si gjahtar dhe tani është pre e veprimeve të tija. Ngjante që në fillim një histori e qepur trashë mbi interesa që nuk bëheshin të ditura për publikun. Me shumë aktorë brenda, shumica e të cilëve ndenjën në hije. Ishte një tekst i shkruar nga disa duar. Sot kemi pamjen më poshtëruese dhe më të ligë të politikës. Karma flet. Ndërsa në rastin individual, ndjej një keqardhje të thellë. Ai rrezikon jo vetëm burgimin, por dhe djegien e mandatit. Një faull i tillë është i jashtëzakonshëm për dikë që aspiron karrierën në politikë” -tha Lorenc Vangjeli.
Salianji u shpall fajtor për veprën penale kallëzim i rremë në lidhje me çështjen “Babale” dhe u dënua me një vit burg nga gjykata e Shkallës së Parë. Në apel e ka çuar çështjen dhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili u dënua me 6 muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti. Nëse Apeli do të konfirmojë vendimin e Shkallës së Parë atëherë deputeti Salianji, rrezikon burgun.
Ish-deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi u shpallën fajtorë nën akuzën e ‘kallëzimit të rremë’ lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës. Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim.
Diskutime rreth kësaj post