Shndërrimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosur ta Kosovës do të trajtohet në fund të muajit nëntor. Të paktën kështu është paraparë në Planin Legjislativ të Qeverisë për këtë vit.
Në bazë të këtij plani, më 30 nëntor, do të trajtohet Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e ligjeve që kanë të bëjnë me Forcat e Armatosura të Kosovës.
Përfaqësuesit e opozitës dhe ekspertët e çështjeve të sigurisë thonë se Kosovës tashmë është vonuar për formimin e ushtrisë. Sipas tyre, kjo çështje po shtyhet si pasojë e neglizhencës së Qeverisë.
Gazeta “Zëri” ka kërkuar sqarime rreth kësaj çështjeje nga Qeveria e Kosovës, megjithatë kjo e fundit nuk ka dhënë asnjë përgjigje për këtë çështje.
Në anën tjetër, anëtari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Shemsi Syla, ka thënë për “Zërin” se është e pakuptimtë se si qeveritarët po deklarohen se gjoja opozita po e pengon formimin e ushtrisë. Sipas tij, përgjegjëse për mosformimin e ushtrisë është Qeveria.
“Sa i përket themelimit të Forcave të Armatosura nuk ka asnjë kuptim që Qeveria të fajësojë opozitën. Tri shkaqe janë qenësore për mosformimin e Forcave të Armatosura të Kosovës: neglizhenca, mospuna dhe mosinteresimi i Qeverisë. Tani Qeveria nxjerr alibinë e rrejshme duke akuzuar me pa të drejtë opozitën”, është shprehur Syla.
Më tej ai ka thënë se në dokumentet e DIRI-t, ekipit nga SHBA-të që ka hartuar dhe ndihmuar për Strategjinë e Sigurisë te rekomandimet, decidivisht thuhet se FAK-u do të mundë të themelohen deri në vitin 2018.
Diskutime rreth kësaj post