Kryeministri Edi Rama ka repzantuar 12 prefektët e rinj në qarqe. Ai tha se prefektët e rinj u zgjodhën pas një procesi përzgjedhës mes kandidaturave të ndryshme. Rama tha më tej se do të rritet roli i prefektëve dhe do të ridimensionohet institucioni.
“Jemi në çeljen e një faze të re qeverisëse dhe sfida themelore për të cilat lypset ndër shumë të tjera edhe një institucion i Prefektit i ridimensionuar tërësisht si një institucion përfaqësues i qeverisë në çdo qark. Padyshim nëse do të kthejmë kokën pas ky është një institucion që mbeti në hije në një pozicion letargjik dhe ndërkohë piramida e re e kësaj faze të re qeverisëse, si dhe pritshmëritë të larta që njerëzit kanë kërkojnë një qasje dhe një profil të ri të figurës së prefektit. Kemi ndërtuar një proces për rreth 40 ditë dhe në mënyrë aktive kemi vlerësuar, pasi kemi rënë dakord mes vedi për profilin e ri të Prefektit një numër kandidaturash nga ushtarakët e lartë që nuk janë aktivë në FA”, tha Rama.
Prefekti i Kukësit do jetë një kolonel në rezervë, zoti Zenel Kuçana, i cili ka përballuar detyra të vështira dhe ka qënë edhe një ndër ata që kanë përballuar sfidën e rëndësishme të krizës së vitit 1999 gjatë luftës së Kosovës dhe flukseve të vëllezërve dhe motrave të shpërngulura me dhunë nga Kosova për në Shqipëri, në atë kohë.
Prefekti i Dibrës do të jetë një tjetër Kolonel në rezervë, zoti Nexhbedin Shehu, i cili ka kryer kualifikime afatgjata në Austri dhe në Gjermani dhe ka ushtruar detyrat e larta të Komandantit të Akademisë së Mbrojtjes, si dhe drejtorit të Burimeve Njerëzore në Ministrinë e Mbrojtjes.
Prefekti i Shkodrës do të jetë një tjetër Kolonel në rezervë, zoti Çesk Millja, i cili ka drejtuar një sërë projektesh modernizimi të Forcave të Armatosura, ka kryer kualifikime në Gjermani, ka mbuluar detyrat e pedagogut në Akademinë Ushtarake dhe drejtor i Drejtorisë së Ndërlidhjes me Shtabin e Përgjithshëm.
Prefekti i Lezhës do të jetë Major në rezervë, zoti Gjergj Prendi, i cili ka pasur një rol të spikatur në strukturat ushtarake të rezervës dhe ka kryer një sërë detyrash të rëndësishme në kuadrin e Forcave të Armatosura.
Prefekti i Durrësit do të jetë një Kapiten i rangut të parë i Forcave Detare në rezervë. Ka kryer kualifikime afatgjata në Turqi. Ka mbuluar detyrat e Shefit të Shtabit të Forcave Detare, si dhe Komandant i Distriktit Detar, zoti Roland Nasto.
Prefekti i Elbasanit do të jetë një Gjeneral Major në rezervë, Komandant i Brigadës së Reagimit të Shpejtë, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, me kualifikime në Holandë, Kroaci dhe Gjermani, zoti Maksim Malaj.
Prefekt i Fierit do të jetë një Kolonel në rezervë, drejtor i Drejtorisë së Modernizimit në Ministrinë e Mbrojtjes, drejtor i Drejtorisë së Ndërlidhjes me Shtabin e Përgjithshëm, me kualifikim në SHBA, mban gradën Doktor i Shkencave, ka drejtuar shumë projekte të rëndësishme të modernizimit të Forcave të Armatosura, zoti Baki Bala.
Prefekti i Beratit do jetë një Kapiten i rangut të parë të Forcave Detare në rezervë, Komandant i Distriktit Detar, drejtor i kantierit të ndërtimit të anijeve në Vlorë, drejtues në disa projekte të rëndësishme të ndërtimit të anijeve moderne të Forcave Detare, zoti Harilla Dafa.
Prefekti i Vlorës, edhe ky me arsim ushtarak dhe civil në nivelin universitar, ka shërbyer për një kohë të gjatë në Forcat e Armatosura, zoti Flamur Mamaj.
Prefekti i Korçës, Gjeneral Brigade në rezervë, drejtor i Drejtorisë së Personelit në Shtabin e Përgjithshëm, Komandant i Forcës Ajrore të Republikës së Shqipërisë, me kualifikime në Gjermani, me gradën Doktor i Shkencave, zoti Dhori Spirollari.
Prefekt i Gjirokastrës do të jetë Kapiteni i rangut të parë të Forcave Detare në rezervë, Komandant i Akademisë së Forcave Detare, Atasheu ushtarak i Republikës së Shqipërisë në Itali, me kualifikime afatgjata në Itali, zoti Astrit Aliaj.
Prefekte e Tiranës, e para Kolonele në historinë e Forcave të Armatosura, Kolonele në rezervë, zonja Suzana Jahollari, Komandante e Akademisë së Nënoficerëve Tomson, drejtore e Drejtorisë së Inspektimit në Ministrinë e Mbrojtjes, me kualifikime në Holandë dhe SHBA, e aktivizuar në forume të NATO-s, që lidhen me barazinë gjinore dhe çështje të tjera.
Prefektët që largohen nga detyra:
Prefekti i Tiranës – Admir Abrija
Prefekti i Durrësit – Emiljan Jani
Prefekti i Elbasanit – Ardit Demiri
Prefekti i Fierit – Vasil Bregu
Prefekti i Vlorës – Etjona Hoxha
Prefekti i Gjirokastrës – Flamur Bime
Prefekti i Beratit – Valbona Zylyftari
Prefekti i Korçës – Pandi Papando
Prefekti i Dibrës – Ardit Kaja
Prefekti i Kukësit – Liman Morina
Prefekti i Shkodrës – Paulin Radovani
Prefekti i Lezhës – Eduard Ndrecaj
Diskutime rreth kësaj post