Gabimi mjekësor në detyrë nuk duhet konsideruar vepër penale, por civile. Urdhri i Mjekut, ai i Infermierit dhe ai i Stomatologut kërkojnë të bëhen amendime në nenin 96 dhe 97 të Kodit Penal, pasi sipas tyre janë hartuar gabim dhe, ndryshe nga eksperienca botërore, ndëshkojnë mjekun me të padrejtë.
“Së pari, neni 96 të saktësojë mirë mjekimin e pakujdesshëm, ose neglizhencën mjekësore, ta specifikojë qartë dhe ta ndajë nga gabimi mjekësor, nga fatkeqësitë mjekësore, nga risku që një njeri ka normalisht kur shkon në strukturat shëndetësore, në mënyrë të tillë që të mos abuzohet që çdo gabim mjekësor të quhet mjekim i pakujdesshëm dhe padrejtësisht të hyjnë mjekët në procedura ligjore”, tha Dr. Fatmir Ibrahimaj, nga Urdhri i Mjekut.
Këto ndryshime të Kodit Penal, Urdhri i Mjekut i kërkoi para deputetëve në Komisionin e Shëndetësisë.
“Ne duam që, sa herë që gjykohet që ka një gjykim të pakujdesshëm, veç ekspertit mjekoligjor të ketë edhe një ekspert të fushës. Jo të arrestohet mjeku si gjë e parë, pastaj të analizohen gjërat. Kjo nuk është e drejtë”, deklaroi më tej Dr. Fatmir Ibrahimaj.
Vetëm gjatë vitit 2015, në Shqipëri janë dënuar 12 mjekë për shkak të gabimit mjekësor. Rasti më i fundit ishte shoqërimi i mjekëve në Maternitetin “Koço Gliozheni”, ku humbi jetën nëna dhe foshnja e saj.
Diskutime rreth kësaj post