Nga Muharrem Xhafa
Pas shumë shkrimeve që kam botuar në gazetën ‘DITA’ në mbrojtje të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të periudhës së ndërtimit të socializmit nën udhëheqjen e PKSH (PPSH) dhe të Enver Hoxhës, disa njerëz më kanë quajtur “nostalgjik të Enverit dhe të komunizmit”. E prisja një reagim të tillë. Jo vetëm nga fakti se kundërshtarët e Enverit dhe të komunizmit sot janë me bollëk, madje në shumicë dominuese, por edhe për faktin se ka një propagandë të shfrenuar antikomuniste dhe anti-enveriste.
Kjo mua nuk më shqetëson hiç për arsyen e thjeshtë se sot është bërë e modës të sulmohen vlerat për të triumfuar antivlerat. Enver Hoxha, PPSH dhe përparimet që u bënë në këtë vend për më shumë se gjysme shekulli janë vlera të pamohueshme, prandaj dhe sulmohen.
***
Pas një emisioni të transmetuar në TV-Plus për nostalgjinë mbi komunizmin kanë ardhur në adresë të shokëve të Partisë sonë disa pyetje me telefon e përmes facebook-ut. Ata janë kryesisht në moshë të re dhe kërkojnë të dinë se cili është mendimi i komunistëve për rendin shoqëror komunist.
Kanë kaluar 26 vjet nga përmbysja me dhunë e regjimit komunist. Mua, “nostalgjikut të Enverit” më tmerron fakti që edhe pas kaq vjetësh vazhdon të shikohen anët e errëta të asaj kohe dhe mohohen totalisht anet e ndritura dhe të padiskutueshme të asaj kohe. Ndaj nuk mund të rri pa e shprehur indinjatën time publikisht.
Për shembull. Hidhet baltë dhe mohohet Lufta antifashiste nacionalçlirimtare, e vetmja luftë që ne kemi fituar si komb dhe që na bën nder në sytë e gjithë botës. Mirëpo e vërteta është e pamohueshme. Dhe ata që mësojnë këtë të vërtetë, por që nuk e kanë jetuar atë luftë, pyesin dhe do të pyesin edhe në të ardhmen: Po kush e bëri atë luftë? Kush e udhëhoqi atë?
Unë, “nostalgjiku i Enverit” që jam realist dhe kam kurajën t’i them gjërat troç, u përgjigjem pa hezitim: Atë luftë fitimtare e bënë partizanët shqiptarë, të udhëhequr nga PKSH dhe Enver Hoxha! E në këtë rast nuk jam unë që gënjej e mashtroj, por janë ata që e mohojnë këtë luftë, janë pinjollët e ballistëve të dikurshëm, ish-bashkëpunëtorë të pushtuesve nazifashistë.
S’na vjen mirë që edhe TV-Plus, në shembullin e TV-Klan e të disa mediave të tjera, punon për të manipuluar të vërtetën për komunizmin dhe që, me dashje apo i detyruar, bën tellallin në mbështetje të borgjezisë antikomuniste. Për të diskutuar “Nostalgji mbi komunizmin” ishin ftuar në studio njerëz të njohur, po edhe jo të njohur, si antikomunistë, por binte në sy që nuk ishte ftuar të merrte pjesë asnjë komunist ose simpatizant i komunizmit! Kjo është mbase edhe një ndër arsyet që emisioni nuk arriti të shpjegonte përse njerëzit kanë nostalgjinë për komunizmin dhe as të bindte teleshikuesit “pse qenkësh komunizmi i keq për popullin”! Askush nuk mund të mohojë se komunizmi është një ndër shkencat shoqërore dhe që këtë nuk mund ta shpjegojnë njerëz dosido e që nuk kanë as dije e kulturë minimale për komunizmin!
Po kështu, kur vëren që borgjezia e shteti shqiptar, partitë politike e mediat e borgjezisë, janë bërë modeli më i degjeneruar i luftës kundër komunizmit e i “krimeve” të tij në Ballkan, po edhe në Europë e më gjerë, bota qesh, tallet! Se jo të futet si lëndë e veçantë në shkolla lufta kundër komunizmit e “krimeve” të tij, siç thonë disa pedagogë sharlatanë, jo të hiqen e rrënohen simbolet e komunizmit, siç ka ndodhur këto 25 vjet, po e tërë bota shqiptare të përmbyset, komunizmi nuk mposhtet e as nuk çrrënjoset! Se komunizmi është çështje e dialektikës materialiste të shoqërisë njerëzore! Se komunizmin e lindin shtypja e shfrytëzimi i borgjezisë mbi masat e popullit! Se sa të ketë të pasur e super të pasur, të varfër e super të varfër, sa të ketë shtypje e shfrytëzim të të parëve mbi të dytët, rendi komunist – socializmi do të jetë gjallë dhe një ditë do të rivendoset. Nëse kapitalizmi dëshiron të mos zëvendësohet me komunizmin, ai duhet të heqë dorë nga shtypja e shfrytëzimi i masave të popullit, çka është krejt e pamundur të ndodhë!
Hapja e disa bunkerëve dhe muzeve të kohës së regjimit komunist më duket një strategji djallëzore për t’u bërë qejfin pinjollëve të ballistëve të dikurshëm. Sepse unë do të sillja disa fakte krejt të kundërta me ta dhe që janë muze të pashpallura dhe të vërteta të pakontestueshme.
A ka monument më të bukur se Universiteti i Tiranës dhe shkollat e hapura në mbarë Shqipërinë?! E këto i bëri ai regjim dhe ajo parti që ju, pinjollët e ballistëve, e luftoni me të gjitha mjetet e mënyrat.
Këta të rinjtë e sotëm të lindur pas vitit 1990 le të shkojnë e vizitojnë hidrocentralet gjigante mbi lumin Drin, nga vjen drita dhe energjia që u duhet për të ndjekur internetin. Dhe le të pyesin: Kur u ndërtuan këto vepra madhështore dhe kush i ndërtoi? S’ka nevojë që edhe për këto të përgjigjem unë “nostalgjiku i Enverit”.
Shkoni në malësi dhe do të shikoni si është ringjallur gjakmarrja primitive dhe ku qindra familje janë ngujuar nga kjo dramë e tmerrshme. Pyesni ju të rinjtë e sotëm: A kishte gjakmarrje dhe ngujime në kohën e Enver Hoxhës? Edhe për këtë mendoj se nuk ka nevojë të përgjigjem unë, nostalgjiku…
***
Pak kohë më parë kam shkruar në fb një material të thjeshtë për komunizmin, përgatitur e bazuar në mësimet e klasikëve të marksizëm-leninizmit e të shokut Enver Hoxha. Po, me gjithë këtë, të interesuarve, atyre që donin të dinin më shumë rreth komunizmit, u sugjerova të studionin veprën e Leninit “Mbi komunizmin”.
Disa miq, pavarësisht kësaj, kërkuan që në një shkrim tjetër të bëja një plotësim të shkrimit për çështjen e kombit, të gjuhës e të kulturës në komunizëm e ndonjë gjë tjetër. Ndaj, jo pa qëllim, disa terma e formulime i kam përsëritur, me mendjen se kështu gjërat do të kuptohen më mirë nga lexuesit. Pasi i plotësova, mendoj, kërkesat e tyre, vendosa që materialin ta bëj publik më të plotë e me besimin që ata që do ta lexojnë do të përfitojnë prej tij.
Komunizmi nuk është çështje nostalgjie, po një realitet i gjallë! Njerëzit nuk kanë mall apo nostalgji për diçka që nuk e kanë jetuar e nuk e kanë pëlqyer! Përkundrazi, ata i kujtojnë vlerat, të mirat, përshtypjet për komunizmin, në të vërtetë për socializmin, si etapa e parë e komunizmit, siç ata kujtojnë edhe të metat, defektet e tij, mbasi socializmi nuk është komunizëm, ka edhe dobësitë e veta objektive, po edhe subjektive, dmth të udhëheqjes, të drejtimit e organizimit, dmth të faktorit subjektiv, drejtues, udhëheqës.
Komunizmi është njëri nder rendet ekonomiko-shoqërore të njohur në shoqërinë njerëzore, është rendi ekonomiko-shoqëror më i lartë, që vjen domosdoshmërisht pas kapitalizmit, pas fitores së revolucionit proletar e vendosjes së pushtetit të diktaturës së proletariatit.
Çështja e komunizmit, ndonëse shume njerëzve u duket utopike, e parealizueshme, në fakt është krejt e mundshme. Bazuar në zhvillimin materialist-dialektik të historisë, në kushtet shoqërore e materiale, objektive e subjektive të zhvillimit të shoqërisë komuniste, udhëhequr nga mësimet e klasikëve të marksizëm-leninizmit, një ditë kjo shoqëri do të arrihet. Kjo është çështje shkence, jo çështje nostalgjie!
Diskutime rreth kësaj post