Presidenti Ilir Meta është shprehur duhet t’i jepet fund kriminalizimit të politikës dhe se duhet të promovohen kandidatë me integritet për zgjedhjet e 25 prillit. Në një intervistë për emisionin “Faktor” Meta tha se burimi i të gjithë problemeve madhore në Shqipëri, është mungesa e legjitimitetit të institucioneve kryesore përfaqësuese dhe qeverisëse.
Pjesë nga intervista:
Pyetje: Zoti Meta, shqiptarët tashmë janë të përqendruar edhe në një çështje tjetër shqetësuese, zgjedhjet e 25 prillit dhe situata aktuale. Ndërkohë, kemi parë se ka disa thirrje nga ndërkombëtaret për të pastruar listat e kandidatëve. Është një çështje shumë e ndjeshme. Do të doja opinionin tuaj, lidhur me përgjigjen e kryeministrit të dhënë për këtë çështje.. Pra për mënyrën sesa po ndërhyjnë ndërkombëtarët? Dhe si e shikon Qeveria dhe kryeministri ndërhyrjen e tyre?
Presidenti Meta: Nuk ka gjë më të rëndësishme për të gjithë qytetarët shqiptarë, për ata që jetojnë këtu dhe për ata që jetojnë jashtë, të cilët janë pjesë e shqetësimeve të familjes dhe vendit të tyre, sesa zgjedhjet, që do zhvillohen në 25 prillit. Këto zgjedhje nuk janë të rëndësishme për 4 vite, por për dekadat që do të vijnë. Ato do jenë përcaktuese për rrugëtimin europian të Shqipërisë, për fuqinë e saj si shtet, si shoqëri, si ekonomi. Njëkohësisht, do të jenë dhe një test shumë i rëndësishëm për vlerat europiane të popullit tonë. Shqipëria ka një mijë probleme të mëdha, po dy janë prioritet më të mëdha sot. E para, shëndeti i qytetarëve, sepse një jetë e humbur nuk rikuperohet dhe kjo çështje kërkon përqendrim maksimal dhe kujdes nga të gjithë. E dyta, janë zgjedhjet, sepse ato janë përcaktuese për një plan shumë afatgjatë për Shqipërinë.
Kush është burimi i gjithë problemeve madhore të Shqipërisë, sot? Mungesa e legjitimitetit të institucioneve kryesore përfaqësuese dhe qeverisëse. Në radhë të parë e Parlamentit, s’po i hyjmë në detaje po është hera e parë që Shqipëria ka një Parlament formalisht me 122 deputet dhe pa opozitën reale. Kemi probleme me qeverinë, sepse është një qeveri që është akuzuar për çështjet e zgjedhjeve të fundit dhe për të cilat ka një kusht të madh nga ana e Bashkimit Europian, hetimi i dosjeve të Dibrës dhe të Shijakut.
Ka një dyshim të fortë dhe të arsyeshëm, që kjo qeveri apo kjo mazhorancë, nuk ka interes për të organizuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Sepse çështja e vjedhjes së zgjedhjeve është ngritur prej kohësh. Pa folur këtu për pushtetin lokal dhe për legjitimitetin, që kanë kryebashkiakët e dalë nga këto zgjedhje. Të gjitha këto kanë të bëjnë me problemet e legjitimitetit dhe rivendosja e legjitimitetit në këtë vend, bëhet vetëm nga sovrani dhe nga askush tjetër.
Kjo është mundësia e parë pas kaq kohësh që i jepet popullit shqiptar, për të thënë fjalën dhe shprehur vullnetin e tij, mbi Parlamentin, Qeverinë dhe mbi të ardhmen e institucioneve, që do të qeverisin në këtë vend. Njëkohësisht nga zgjedhjet do të varet shumë edhe rruga që do të ndjek Shqipëria. Do të jetë rruga europiane apo një rrugë tjetër, që sigurisht nuk ka për ta ndjekur kurrë, që e çon jo vetëm në qorrsokak por edhe në fund të humnerës.
Unë në këtë drejtim i jap një rëndësi të jashtëzakonshme këtyre zgjedhjeve, prandaj them që këto zgjedhje janë referendum. Pse? Sepse duhet që i gjithë populli të shprehë vullnetin për të ardhmen e këtij vendi.
Ju shprehët një dilemë tuajën, a do të hyjë një ditë Shqipëria në BE?
Meta: Për fat të keq ne kemi një kryeministër që thotë se, ka dhe alternativa të tjera veç anëtarësimit në BE, sepse në vendm që ai të marrë përgjegjësitë e veta për kushtet që diheshin, që janë thënë dhe të cilat nuk janë realizuar, përkundrazi, ai merr përsipër për të armiqësuar shqiptarët me BE.
Për çfarë na e ka fajin Bashkimi Europian? Që bëjmë zgjedhje të paligjshme vendore? Sepse duam ta marrim gjithë pushtetin pa zgjedhje vetë, edhe t’i numërojmë votat vetë dhe të kemi qeverisjen në të gjithë Këshillat Bashkiak.
Për çfarë na e ka fajin BE? Sepse duhet të shkelim çdo ditë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, që ka në themel të saj jo vetëm të drejtat dhe liritë politike dhe funksionimin e shtetit ligjor, të drejtat e njeriut, të drejtën e pronës dhe respektimin e saj.
Por, duam të pasurojmë disa oligarkë me koncesione, me tjetërsim pronash dhe me shumë manovra të tilla, të cilat cenojnë rëndë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe interesin publik.
Prandaj, për të gjitha këto populli shqiptarë duhet të shprehet dhe unë jam shumë i bindur që, do të shprehet në 25 prill.
Për çështjen e emrave të listave të partive, kjo është një çështje që i takon partive për të treguar vullnetin e tyre që t’i japin fund kriminalizimit politik. Ligj i dekriminalizimit u bë, sepse u evidentua që kishte kriminalizim, u evidentua që kishte deputet me tre apo katër emra dhe që ishin në kërkim.
U vërtetua që kishte Kryetar Bashkish me pesë dhe gjashtë emra, apo jo? Të cilët kishin problemet e tyre dhe u vërtetua që këta ishin aty, për interesin e tyre dhe jo të qytetarit. Kështu që është e rëndësishme të mos reagohet me kokëfortësi, dhe të mos u jepet mbrojtje politike këtyre individëve.
Por, të respektohet qytetarët shqiptarë, në atë që ata meritojnë. Qytetarët meritojnë të përfaqësohen nga kandidatë me integritet dhe me vlera intelektuale dhe jo me ata që vijnë nga radhët e të ‘fortëve’, apo vetëm të biznesmenëve, dhe këta kryesisht gjithmonë të lidhur me pushtetin apo politikën.
Diskutime rreth kësaj post