Bujar Spahiu, i cili u rizgjodh pak muaj më parë në krye të Komunitetit Mysliman për një mandat të dytë 5-vjeçar ndodhet në presion të fortë nga dyshja Rama-Erdogan. Prej kohësh drejtuesi i KMSH ka qenë shënjestër direkte e presidentit turk. Gazeta “SOT” raportoi pak ditë më parë se Erdogan i ka premtuar Edi Ramës se në këmbim të “kokës” së tij do të zhbllokohet xhamia e Namazgjasë në qendër të Tiranës, e cila ka mbaruar prej vitesh, por mbahet peng nga “Sulltani”. Porosia për qeverinë shqiptare është e qartë: Në krye të institucionit, klani i Edi Ramës duhet të emërojë një të besuar e vasal të sektit “Erdogan”.
Për të realizuar këtë qëllim, kryeministri i ka çuar njerëz të Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH) për t’i bërë presione kreut të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Madje me urdhra të Edi Ramës ata kanë kërkuar dhe ta blejnë. Mësohet se Bujar Spahiut i është ofruar si post drejtimi i një ambasade në vendet arabe, vetëm që të largohet nga drejtimi i KMSH në mënyrë që turqit të marrin kontroll të plotë të Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Në mënyrë që Erdogan t’i hapë rrugë inaugurimit të Xhamisë së Madhe, Z.Spahiut i janë vendosur dhe kushte të tjera mbi tavolinë. Si fillim ai duhet të bie dakord që administrimin ta marrë në duar Myftiu i Tiranës Bilal Teqja, personazh i cili deri më tani nuk ka patur asnjë kontestim nga filoerdoganistët e Komunitetit Mysliman. Kushtet e tjera janë që Xhamia e Madhe të administrohet nga 4 imamë.
Komuniteti Mysliman nën presionin e qeverisë turke
Pak ditë më parë presidenti i Turqisë, i dha një ultimatum të prerë në telefon Ramës, duke i kërkuar që të likuidojë gylenistët. “Sulltani” turk dhe vartësit e tij prej kohësh i kanë vënë ultimatum Tiranës zyrtare që të arrestojë të gjithë gylenistët që strehohen në Shqipëri, të cilët kërkon të ekstradohen drejt Turqisë, për shkak se i bën përgjegjës për grushtin e dështuar të shtetit kundër tij në vitin 2016. Më e zhurmshme ishte ajo e janarit të vitit 2022, kur Erdogan erdhi në Tiranë dhe deklaroi në parlament se “priste që Shqipëria të marrë masa ndaj FETO dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen”.
Deklarata u konsiderua si kusht që i vendosej Shqipërisë nga presidenti i Turqisë për vazhdimin e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve. Tashmë është e qartë se Turqia qëndron pas idesë se drejtuesit që janë në krye të Komunitetit Mysliman vitet e fundit janë gylenistë. Për këtë ata janë përjashtuar nga ceremonitë ku janë pjesë autoritetet turke. Gjatë inaugurimit të xhamisë së Et’hem beut, presidenti Erdogan nuk pranoi asnjë të pranishëm nga Komuniteti Mysliman shqiptar në ceremoni dhe zgjodhi të shoqërohet nga një hoxhë turk.
Pajtimi i Edi Ramës me kërkesat e Erdogan
Edhe pse i avashtë në hapat që ka ndërmarrë, kryeministri Rama nuk i ka refuzuar kërkesat e “sulltanit”. Në shtator të vitit 2022, ministria e Arsimit e drejtuar nga Evis Kushi i hoqi licencën shkollës së mesme Mehmet Akif dhe vendosi të mbyllë kopshtin Turgut Ozal. Të dy këto institucione arsimore ishin në listën e dërguar nga Ankaraja si investime të organizatës FETO, të drejtuar nga Fetullah Gylen.
E njëjta skemë ishte zbatuar edhe vitin 2020 pikërisht në shtator kur qeveria vendosi mbylljen e veprimtarisë së medresesë “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë (e hapur në vitin 2002), medresesë “Ali Korça” në Kavajë (e hapur në vitin 1996) dhe të “Memorial International School of Tirana (MIST)” “të lidhura me strukturat e organizatës terroriste FETO në Shqipëri”, siç njoftonte në atë kohë agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency (AA).
Ndryshe nga shume vende demokratike Shqipëria i ka marrë disa hapa për dorëzimin e gylenistëve dhe bizneseve të tyre. Policia dhe prokuroria kanë ushtruar presion maksimal mbi kolegjet turke për të realizuar shitjen e tyre. Disa herë nxënësit e këtyre shkollave janë befasuar brutalisht nga hyrja e beftë dhe arrogante e forcave policore në mjediset mësimore.
Kulmi arriti me ekstradimin e paligjshëm të mësuesit Harun Çelik në janar 2020. Një raport i zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, në Maj 2020, e fshikullonte edhe Shqipërinë për atë që mund të cilësohet një praktikë e vazhdueshme e ekstradimeve apo dëbimeve të detyrueshme të shtetasve turq nga vende të ndryshme, drejt Turqisë.
Raporti bënte me dije se: “Deri më sot, të paktën 100 individë të dyshuar si të përfshirë në lidhje me lëvizjen Hizmet/Gulen kanë qenë subjekt i arrestimeve arbitrare, largimeve të detyruara dhe torturave, si pjesë e veprimeve të fshehta të organizuara apo asistuara nga qeveria turke në koordinim me autoritetet në Afganistan, Shqipëri, Azerbajxhaan, Kamboxhia, Gabon, Kosovë, Kazakistan, Liban dhe Pakistan, mes të tjerësh”.
Kryeministri Rama është rreshtuar prej kohësh me presidentin turk në konfliktin që e ndan atë me vëllain armik, Fetullah Gylen. I ftuar në maj 2018, në studion e Ilva Tares, Edi Rama i ka konsideruar gylenistët një rrjet të rrezikshëm të cilët Shqipëria i mban nën vëzhgim. I pyetur drejtpërdrejt për “rrjetin FETO” ai e ka quajtur atë një organizëm që tentoi përmbysjen e një pushteti të zgjedhur, me rrugën e dhunës dhe të armëve.
Ai e etiketoi atë “një rrjet i rrezikshëm” dhe shtoi se shteti shqiptar i mban ata në vëzhgim. Të ishte për Ramën të gjithë gylenistët do të zhdukeshin, por ata mbrohen nga amerikanët dhe në këtë mes kryeministri ndodhet mes dy zjarresh.
Diskutime rreth kësaj post