Albin Kurti nuk e ka lexuar ende raportin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për liqenin e Ujmanit. Ndoshta i papërgatitur për përgjigjen, kreu i qeverisë së Kosovës deklaroi se do ta komentojë më vonë.
“Nuk e kam lexuar raportin, kemi ekipet tona që merren me këtë gjë, kur ta shoh do e komentoj më vonë”, është shprehur Kurti.
Ambasada amerikane në Prishtinë konfirmoi se raporti i studimit të fizibilitetit për Ujmanin, i është dorëzuar qeverisë së Kosovës.
Në marrëveshjen ekonomike të nënshkruar nga Prishtina dhe Beogradi më 4 shtator të vitit 2020 në Washington, dy shtetet kanë rënë dakord që për Liqenin e Ujmanit të bashkëpunohet me qeverinë amerikane në një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij rezervuari, si furnizues i ujit dhe energjisë.
Por përveç Asociacionit, kjo është një tjetër pikë për të cilën kryeministri Kurti ka rezervat e tij rreth asaj që është firmosur në Shtëpinë e Bardhë, në praninë e ish presidentit Donald Trump.
Sipas marrëveshjes së 4 shtatorit, Washingtoni propozon formimin e një komisioni për lumin Ibër që do të ndihmonte diskutimin mes palëve për mundësitë e menaxhimit të përbashkët të burimeve ujore. I ndërtuar mes viteve 1979-1984, Liqeni i Ujmanit është rezervuari më i madh akumulues në Kosovë. Pa ujin e Liqenit të Ujmanit, Kosova do të mbetej pa energji elektrike brenda pak orësh.
Në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur në vitin 2011, Serbia vazhdimisht këmbëngul në themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe që menaxhimin e liqenit të Ujmanit ta bëjë pikërisht ky Asociacion. Por kjo kërkesë vazhdimisht është hedhur poshtë nga Prishtina zyrtare.
Diskutime rreth kësaj post