Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se po bëjnë gjithçka që opozita ta ketë të pamundur vendimin e bojkotit të zgjedhjeve.
Për këtë, i dërguari i fundit i Uashingtonit e ktheu vizitën e tij të falenderimit në dërgatën e fundit ndërmjetësuese ndërkombëtare përpara se vendi t’i drejtohet zgjedhjeve pa opozitën.
Rikthehet paketa McAllister. Zv.kryeministër, 4 ministra
Ashtu siç raportoi edhe Top Channel, pasi doli nga takimi me kryeministrin Edi Rama, u mor vesh se nuk kishte një paketë amerikane. Sepse në fokusin e Hoyt Yee ishte paketa “McAllister”.
Burime të Top Channel konfirmojnë se në vend të presidentit, tashmë të zgjedhur, paketa ofron postin e zëvendëskryeministrit, një gjë që vetë Rama e kishte ofruar gjatë negociatave tek Nishani.
Pavarësisht moskoherencës në qëndrime, qoftë maxhoranca përpara, qoftë opozita disa ditë me vonesë, kanë vlerësuar atë si një mundësi e mirë takimesh të përbashkëta mes palëve.
Mesa duket, pas takimit me Ilir Metën, i cili ka qenë gjithmonë pro kësaj pakete, Yee është takuar fillimisht me Bashën vetëm në prani të ambasadorit Lu dhe më pas atyre u janë bashkuar edhe aleatët opozitarë.
Takimi, i cili ka zgjatur më shumë se një orë nuk ka prodhuar rezultat, por ka prodhuar së paku 24 orë kohë për PD për t’iu rikthyer kësaj pakete me disa korrigjime për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur që nga ikja e McAllister.
Dhe këtu nuk është fjala thjesht për presidentin tashmë të zgjedhur, por edhe për faktin se tashmë maxhoranca, ose më saktë, kryeministri dhe Partia Socialiste, duken të bindur tek mbajtja e zgjedhjeve në 18 qershor dhe asnjë ditë më vonë.
Edhe Ilir Meta, pak ditë më parë në emisionin “Top Story” tha se shtyrja e zgjedhjeve përtej datës 16 korrik nuk ishte më e mundur.
Kërkesat e Bashës: Identifikim, numërim elektronik. Shtyrje?
Por Partia Demokratike, e cila veç tezës së qeverisë teknike duket fleksibël edhe tek çëshja e votimit elektronik, nëse maxhoranca paraqet fakte bindese për mosrealizimin objektiv të saj, kërkon patjeter identifikimin biometrik dhe numërimin elektronik.
Për këtë, sipas opozitës, duhet kohë, kohë që do t’i shtynte zgjedhjet deri në vjeshtën e këtij viti. Askush nuk mund të thotë nëse tashmë palet e kanë seriozisht arritjen e një marrëveshjeje, apo seriozisht kanë vetëm procesin e fajësimit të palës tjetër për dështimin e saj.
Por Yee ka përcjellë disa mesazhe që pala opozitare duhet t’i konsiderojë seriozisht. E para, se Uashingtoni nuk beson se qeveria kërkon të vërë dorë në zgjedhje dhe për këtë ka vënë vulën e garancisë së tij.
E dyta, se zjedhjet do të jenë legjitime pa opozitën; një frazë që një ditë më parë u tha tekstualisht njësoj nga kryeministri Rama.
E treta, se bojkoti dëmton vendin dhe PD. Duke lënë të nënktuptohet qartë se, kur të bëhet fatura e dëmit, pjesa më e madhe e saj do t’i shkojë selisë blu. Ose më saktë, lidershipit të saj, të cilit në këto 24 orë do t’i duhet ta llogarisë edhe këtë. Vetë amerikanët po e bëjnë.
Zëvendës ndihmës sekretari Yee takoi pasditen e së hënës Majlinda Bregun dhe Jozefina Topallin dhe mori në distancë mbështetjen e kujdesshme të Patozit. Eduart Selami ndodhej në Amerikë, por qëndrimi i tij pro-amerikan e bën takimin me Yee thuajse të panevojshëm.
I pyetur nga gazetarët nëse këto takime tregonin se Shtetet e Bashkuara po kërkonin një zë alternativ brenda Partisë Demokratike, Yee iu përgjigj në mënyrë pohuese.
Një qëndrim që në formë dhe në përmbajtje kujton vetëm një precedent, letrën e komisionerit Johannes Hahn. Kriza dihet. Dihen dhe përgjegjësit. Ata tani kanë edhe 24 orë që të vendosin nëse në fund do identifikohen edhe si fajtorë.
Diskutime rreth kësaj post