Nisin punimet për ndërtimin e të ashtuquajturës Autostrada Bujqësore, një rrugë e cila përshkon njësitë administrative Gjergjan dhe Shirgjan, të njohura si zonat bujqësore më prodhuese në Elbasan.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka inspektuar nga afër punën që po kryhet nga ana e qeverisë shqiptare në “Unazën Bujqësore të Elbasanit”.
Kjo rrugë ishte një premtim i kryeministrit Edi Rama për fermerët punëtorë të këtyre zonave, por mbi të gjitha për produktet cilësore me të cilat ata konkurrojnë në tregjet europiane.
Në fjalën e tij gjatë inspektimit numri dy i PS-së, Taulant Balla deklaroi se kjo rrugë bën të aksesueshme prodhimet bujqësore të më shumë se 1400 ha, kryesisht sera.
“Me përfundimin e festave jemi rikthyer në punët e përditshme dhe për ne e rëndësishme është përfundimi sa më shpejt i kësaj rruge, por me cilësi. Kujtoj që është një nga rrugët, që ne, me të drejtë, e quajmë unaza bujqësore e Elbasanit, sepse kjo rrugë bën të aksesueshme prodhimet bujqësore të më shumë se 1400 ha, kryesisht sera. Vetëm gjatë këtij vit bujqësor që fillon, sipas fermerëve, këtu pritet të mbidhen rreth 2 milionë rrënjë lakër Brukseli, e cila sjell të ardhura shumë të mira për këtë zonë. Ka qenë kërkesë e kahershme e banorëve dhe në maj pritet të përfundojnë punimet në të gjithë aksin prej 7.3 km”, deklaroi Balla.
Aksi rrugor i shkatërruar pengonte tregtarët të merrnin prodhimet bujqësore, të cilat më pas janë të destinuara kryesisht për eksport. Zona e Shirgjanit dhe Gjergjanit njihen për prodhime cilësore, fshatrat nuk janë braktisur dhe i gjithë aktiviteti është i fokusuar tek bujqësia.
VIDEO:
Diskutime rreth kësaj post