Leonid Volkov, një ish-ndihmës i afërt i liderit të ndjerë opozitar rus, Alexei Navalny, është zotuar se do ta vazhdojë luftën e tij kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, me gjithë lëndimet që i pësoi pasi u sulmua më 12 mars nga një person i paidentifikuar në Vilnius të Lituanisë.
“Do të vazhdoj të punoj dhe nuk do të dorëzohem”, tha Volkov në një video të publikuar në Telegram, pasi u lirua nga spitali në kryeqytetin lituan.
“Ata deshën të më shndërronin në biftek. Natyrisht, me një çekan mishi. Një burrë më sulmoi mu pranë oborrit të shtëpisë ime”, tha Volkov.
Ai e theu dorën dhe pësoi lëndime të tjera për pasojë.
Volkov e cilësoi sulmin si “një përshëndetje karakteristike prej gangsteri nga Putini”.
Zëdhënësi i Policisë lituane, Ramunas Matonis, konfirmoi për agjencinë e lajmeve AFP se një qytetar rus u sulmua pranë shtëpisë së vet në Vilnius rreth orës 22:00 më 12 mars, pa e përmendur me emër Volkovin.
Sipas gazetarit Sergei Parkhomenko, sic raporton Meduza, Volkov jeton në një lokalitet të vogël jashtë Vilniusit.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis, e përshkroi sulmin si “tronditës”.
Pamje të Volkovit të lënduar dhe të veturës së tij të dëmtuar u postuan në Telegram nga ekipi i Navalnyt.
Sulmi u raportua së pari nga Kyra Yarmysh, ish-zëdhënësja e Navalnyt dhe sekretarja e Fondacionit të tij Kundër Korrupsionit (FBK), e cila tha në rrjetin social X se një burrë i paidentifikuar e theu dritaren e veturës së Volkovit dhe hodhi gaz lotsjellës drejt syve të tij, para se ta godiste me çekan mishi.
Më vonë, ajo tha se Volkov e luftoi sulmuesin duke përdorur “derën e veturës dhe këmbët e tij”.
Navalny, kritiku më i madh i Putinit, vdiq muajin e kaluar në rrethana të dyshimta në moshën 47-vjeçare në një burg në rajonin arktik të Rusisë, ku po kryente një dënim me 19 vjet burgim.
Volkov dhe disa aleatë të tjerë të Navalnyt u larguan nga Rusia më 2019, pasi autoritetet filluan një hetim ndaj FBK-së dhe veprimtarisë së saj.
Ai u fut në listën e personave të kërkuar më 2021 për shkak të veprimtarisë së tij kundër Kremlinit.
Diskutime rreth kësaj post