Bora Zemani është IN në ekranin shqiptar dhe kjo është e padiskutueshme. “Treshat”, një program i ideuar bashkë me binjakët Donald e Romeo Veshaj, i kaloi pritshmëritë e moderatores, ndaj edhe menjëherë pas tij, Bora u pa në një format të ri, tërësisht ndryshe. I dedikuar tërësisht modës dhe prurjeve të reja të saj, “Albanian Designer Competition” ishte një tjetër “sprovë” për Borën, e cila, gjithashtu rezultoi e suksesshme për disa javë me radhë.
Po tani? Moderatorja, pak ditë më parë ka zbuluar se shumë shpejt, është gati një projekt i ri, i cili është jashtë botës së televizionit – një linjë veshjesh që mban markën e saj. “B.Zzz by Bora Zemani” do të jetë një linjë veshjesh në stilin street style.
“Jam në një periudhë shumë të ngarkuar, por kjo nismë e re që po ndërmarr, është diçka që e pëlqej shumë. Ata që më njohin mirë, e dinë se si vishem në përditshmëri. Jam tip sportiv dhe më pëlqen shumë rehatia në veshje, ndaj ideja ime kryesore ishte që të hapja një linjë veshjesh ku të dukesh bukur, por edhe të ndihesh shumë rehat me to…
Kur m’u ofrua moderimi në ‘Albanian Designers Competition’, gjëja e parë që më bëri përshtypje, ishte fakti se isha pikërisht në momentin kur po mendoja të hapja sipërmarrjen time, që gjithashtu ka të bëjë me modën. E mora si një shenjë, që duhej ta realizoja idenë time. Sigurisht që edhe “ADC”-ja më ndihmoi t’i shihja gjërat pak ndryshe dhe ta formoja më mirë idenë time fillestare për këtë sipërmarrje”, – ka thënë Bora në një prononcim për Living disa javë më parë.
Zgjedhja e një linje të tillë është, së pari, e identifikuar me Borën dhe stilin e saj të përditshmërisë, por nuk përjashtohet edhe ndonjë guxim më shumë se aq.
“B.Zzz by Bora Zemani” nuk mund të jetë kurrsesi një markë e shtuar në tregun e veshjeve sportive në Tiranë, por një emër që identifikon më shumë street style-n dhe, pa asnjë dyshim, cilësinë e lartë të këtyre veshjeve.
Diskutime rreth kësaj post