Gazetari Besar Bajraktaraj ka mundur që të sigurojë dëshminë e Klodian Meajt, një prej të dhunuarve në Mal të Zi. Ai u shpreh se sapo kanë dalë nga trageti bashkë me dy shqiptarët e tjerë kanë marrë makinën dhe kanë ndalur në Herceg Novi pasi kanë pasur një problem me mjetin. Kur kanë ndaluar, një grup personash kanë goditur automjetin ku ndodheshin.
Sapo kanë dalë, ka nisur edhe dhuna ndaj tyre. Sipas tij, gjithçka ka ndodhur pa i provokuar. Ai tregon se në makinë ka një flamur të vogël shqiptar në pasqyrë. Megjithatë Meaj thotë se nuk e di nëse u dhunuan për këtë arsye pasi makina është me targa gjermane dhe jo shqiptare.
“Ne ishim ulur nga trageti dhe morëm makinën tonë. Vijuam rrugën pa probleme deri në qytetin e Malit të Zi Herceg Novi. Aty për një moment ndaluam sepse kishim një problem me makinën. Sapo kemi ndaluar një grup personash kanë ardhur dhe kanë goditur automjetin në të cilin ndodheshin. Dolëm jashtë sepse nuk po kuptonim çfarë po ndodhte dhe na goditën edhe ne duke na dhunuar fizikisht pa asnjë shkak dhe pa asnjë arsye. Ne ishim duke komunikuar më zë fare të ulët brenda makinës dhe nuk kishte asnjë shkak, asnjë provokim nga ana jonë. Sapo dolëm nga makina na goditën edhe ne dhe më pas u larguan. Unë në automjet kam një flamur shqiptar në pasqyrë, është një flamur i vogël. Nuk e di nëse është kjo arsyeja pasi automjeti është me targa gjermane dhe jo shqiptare. Ne kemi dhënë deklarimet tona për policinë malazeze pasi nuk kishte asnjë arsye për të na dhunuar në atë mënyrë. Kemi marrë disa mjekime në një spital të Malit të Zi dhe pas deklarimeve kemi ardhur me dëshirë drejt Shqipërisë. Unë dua të falenderoj shumë shtetin shqiptar. Kam një falenderim për ministrin e Brendshëm Taulant Balla i cili na ka mbështetur shumë. Po ashtu falenderoj Ambasadën shqiptare në Malin e Zi e cila na ka mbështetur në çdo moment, policinë shqiptare që na u gjend afër dhe na shoqëroi si dhe spitalin e Shkodrës për gatishmërinë. Ajo që ne kemi kërkuar është që të zbardhet ngjarja dhe autorët të vihen përpara përgjegjësisë”, tha ai.
Ndërkohë policia malazeze ka identifikuar 3 autorët e dyshuar të dhunës ndaj 3 të rinjve shqiptarë.
Dhuna ndaj 3 shqiptarëve u denoncua fillimisht nga familjarët e tyre, çka ngjalli menjëherë reagim nga autoritetet. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, kontaktoi homologun e tij malazez Danilo Sharanoviç ku kërkoi informacion të plotë mbi shkaqet e këtij incidenti. Për këtë të fundit reagoi dhe kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç, i cili që në momentet e para deklaroi se policia e vendit të tij ishte në gjurmët e agresorëve.
Diskutime rreth kësaj post