Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës dhe kompania turke, “Baykar Makina” ranë dakord për ndërtimin e një qendre shërbimi për riparimin dhe mirëmbajtjen e mjeteve ajrore pa pilot.
Marrëveshja për krijimin e një qendre shërbimi për dronët turq u nënshkrua si pjesë e marrëveshjes ndërqeveritare midis Ukrainës dhe Turqisë për bashkëpunim në sektorin e teknologjisë së lartë, aviacionin dhe industrinë hapësinore, e cila hyri në fuqi në janar të vitit 2023.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës vuri në dukje se ky hap do të forcojë ndjeshëm bashkëpunimin midis Kievit dhe Ankarasë në sektorin e mbrojtjes dhe do të jep kontribut të rëndësishëm në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës, raporton reuters.
Kostiantyn Vashchenko, sekretari shtetëror i Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, tha se qendra e riparimit dhe mirëmbajtjes së UAV-ve Baykar do të krijohet “në të ardhmen e afërt”.
Kompania turke, Baykar mori licencat e nevojshme për të prodhuar dronët Bayraktar TB2 dhe Akıncı në Ukrainë në qershor të këtij viti. Këtë muaj filloi ndërtimi i fabrikës Bayraktar në Ukrainë.
Oleksiy Reznikov, ministri i mbrojtjes i Ukrainës, tha më herët se dronët që do të prodhohen në fabrikë do të pajisen me motorë të prodhimit ukrainas. Gjithashtu do të krijohet një qendër trajnimi për operatorët Bayraktar të kategorive të ndryshme.
Diskutime rreth kësaj post