Turqia pritet ta marrë komandën e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, nga kjo vjeshtë. Sipas zyrtarëve turq që kanë njohuri për këtë çështje, ky rotacion po ndodh në vazhdën e përplasjeve më të këqija në rajon gjatë dekadës, raportoi të enjten “Bloomberg”.
Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe brenda Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut pas SHBA-së, pritet ta marrë drejtimin e KFOR-it nga Italia në tetor.
Dorëzimi i komandës te trupat turke është planifikuar para tensionimit të situatës në veri më 26 maj, teksa bëhet e ditur se zgjedhja e Turqisë ende nuk është finalizuar.
Në fillim të javës, NATO-ja ka bërë të ditur se rreth 500 ushtarë turq janë vendosur në Kosovë për ta përforcuar kontingjentin e KFOR-it.
Batalioni turk është vendosur në kampin Sultan Murat dhe do të qëndrojë në Kosovë për aq gjatë sa të jetë e nevojshme.
“Një batalion shtesë i forcave rezervë të NATO-s janë vendosur në gatishmëri të lartë për t’u dislokuar në Kosovë nëse është e nevojshme”, thuhet në njoftimin e NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg të dielën falënderoi presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, për vendosjen e trupave shtesë nga Turqia në Kosovë.
“Turqia është një aleat i rëndësishëm dhe shumë i vlerësuar, duke bërë një kontribut kyç për NATO-n. Përfshirë këtu edhe trupat për misionin tonë paqeruajtës në Kosovë, që është edhe më i rëndësishëm tash, pasi tensionet janë të larta”, ka thënë Stoltenberg.
Diskutime rreth kësaj post