Ankaraja së fundmi po punon për ta shtuar me 242 km murin e saj të sigurisë përgjatë kufirit të Turqisë me Iranin në provincën Van, në një përpjekje për të frenuar valën e refugjatëve të pritur nga Afganistani dhe Azia Qendrore.
Ministri i Brendshëm turk Suleyman Soi ndër të tjera ka thënë se tashmë muri kufitar është i plotë.
“Ne do ta zgjasim murin me 242 kilometra të tjerë, përtej 221 km që tashmë janë përfunduar në kufirin tonë lindor me Iranin. Muri ynë kufitar me Iranin është pothuajse i plotë”, është shprehur ministri.
Ndërkohë më parë Turqia ka përuruar ndërtimin e murit të sigurisë në provincën Igdir në Turqinë Lindore në vitin 2017, ndërsa një pjesë e një muri të gjatë 159 km është ndërtuar tashmë në provincën e Agrit.
Ministri turk gjithashtu ka thënë se Ankaraja tani po planifikon të përfundojë ndërtimin e një pjese prej 20 km të një muri përgjatë kufirit me Irakun në provincën turke të Hakarit. Ai ka shpjeguar se 837 km e murit 911km të gjatë ekzistues në kufi me Sirinë është e pajisur me sisteme moderne të ndriçimit, zbulim të objektivave optikë, sensorë dhe kamera infra të kuqe.
Sipas Soylou, punimet po kryhen në kufijtë e Turqisë me Gjeorgjinë dhe Armeninë, në përpjekje për të parandaluar çdo fluks të mundshëm migracioni.
Ministria e Brendshme e Ankarasë njoftoi javën e kaluar se 462,026 refugjatë sirianë ishin kthyer në shtëpitë e tyre brenda territorit sirian, duke përdorur “Mburojën e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit” në veri të Sirisë.
Ministri turk tha se Ankaraja kishte menaxhuar krizën e refugjatëve në dy faza: fillimisht me një politikë të “dyerve të hapura” dhe më vonë promovimin e një “procesi përshtatjeje”. Turqia tani është në fazën e tretë të politikës së saj të “solidaritetit ndërkombëtar” të refugjatëve, me një kombinim të sigurisë së shtuar kufitare dhe nismave ndërkombëtare të ndihmës.
Diskutime rreth kësaj post