Një zyrtar i lartë i partisë së presidentit turk, Rexhep Erdogan, ka thënë se Turqia nuk pret që marrëdhëniet me Shtetet e bashkuara të jenë të tensionuara nën udhëheqjen e presidentit të ri amerikan, Joe Biden, dhe nuk pret sanksione për blerjen e sistemit mbrojtës raketor “S-400” nga Rusia.
Gjatë një interviste për agjencinë Reuters, zëvendëskryetari i Partisë AK, që është në pushtet në Turqi, Numan Kurtulmus, tha se beson që Shtetet e Bashkuara do të bëjnë hapa pozitivë në të ardhmen.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara, sipas të gjitha gjasave, do ta shikojë me shumë kujdes baraspeshimin në Lindjen e Mesme për interesat amerikane dhe nuk do të dojë t’i vazhdojë lidhjet e tensionuara me Turqinë”, tha ai.
Raportet mes Ankarasë dhe Uashingtonit janë tensionuar për disa çështje, duke filluar nga politika për Sirinë dhe refuzimi i Shteteve të Bashkuara për ta ekstraduar në Turqi klerikun Fetullah Gylen, i akuzuar nga Turqia për organizimin e puçit të dështuar të vitit 2016.
Turqia është mbështetur në raportet e mira personale mes Erdoganit dhe Trumpit për t’i kaluar më lehtë dallimet, por pritet që Bideni të jetë më i rreptë ndaj Turqisë për politikat e këtij shteti në fushën e mbrojtjes, diplomaci dhe të drejta të njeriut.
Diskutime rreth kësaj post