Policia turke ka prangosur kryeredaktorin e gazetën opozitare “Cumhuriyet”. Murat Sabunçu është i fundit i një serie gazetarësh me emër të kësaj gazete, që po hetohet. Ndërkohë që kontrolle janë ushtruar edhe në shtëpitë e pjesës tjetër të stafit të gazetës.
Gazetarët janë të dyshuar se kanë lidhje me klerikun mysliman që jeton në ekzil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fethullah Gulen, i cili akuzohet nga Ankaraja zyrtare si ideatori i përpjekjes së dështuar për grusht shteti në korrik. Gjithashtu ata dyshohen edhe për lidhje me militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).
Ngjarja është e fundit dhe pason atë të fundjavës, gjatë së cilës janë mbyllur 15 agjenci të tjera mediatike si dhe janë shkarkuar 10 mijë nëpunës civilë. Mes tyre ishin akademikë, mësues, punonjës të shëndetësisë, roje burgjesh dhe ekspertë mjekoligjorë.
Kritikët e kanë akuzuar presidentin Recep Tayyip Erdogan se po shfrytëzon vendosjen e gjendjes së emergjencës pas përpjekjes për grusht shteti për të heshtur kundërshtarët e tij për pushtet. Qëprej korrikut, thuajse 110 mijë njerëz janë shkarkuar nga puna apo janë pezulluar, ndërsa 37 mijë të tjerë janë arrestuar.
Qeveria thotë se rrjeti i ndjekësve të Gulenit është aq i gjerë, saqë është i nevojshëm një spastrim i thellë i shoqërisë. “Cumhuriyet” është gazeta më e vjetër sekulare në Turqi, si dhe një prej të paktave mjete të mbetura për zërin e opozitës.
Sabunçu u arrestua mëngjesin e sotëm në Stamboll, sipas asaj që raporton agjencia shtetërore e lajmeve “Anadolu”. Mandatarreste janë lëshuar edhe për pjesën tjetër të stafit. Ish-kryeredaktori i “Cumhuriyet”, Can Dundar dha dorëheqjen në muajin gusht, pasi u dënua me 5 vite burgim për zbulimin e sekreteve shtetërore në lidhje me operacionet e Turqisë në Siri.
Dënimi i tij u kritikua nga grupet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Ai mendohet të jetë larguar nga vendi, pasi u la i lirë në pritje të Apelit.
Diskutime rreth kësaj post