Autoritetet turke kanë arrestuar 118 zyrtarë të Partisë Demokratike Popullore (HDP) në opozitë, gjatë operacioneve të zhvilluara nga ekipet policore antiterrorizëm në 5 provinca të vendit, si pjesë e hetimit mbi sulmet vdekjeprurëse të së shtunës në Stamboll.
Drejtues provincialë dhe të degëve të qarqeve të HDP-së janë prangosur në Stamboll, Ankara, Adana, Manisa dhe Mersin, pas zhvillimit të një sërë bastisjesh në zyrat e tyre gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të hëne.
Numri më i madh i të ndaluarve ka qenë në Mersin, me 51 anëtarë të “HDP”-së. Në Stamboll numërohen 20 persona të ndaluar, mes të cilëve edhe kreu i “HDP”-së për provincën e Stambollit, ndërsa në Ankara numërohen 17 drejtues, përfshi edhe kreun provincial të partisë, Ibrahim Binici.
Të dyshuarit akuzohen për pjesëmarrje apo anëtarësim në Partinë e jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe për përhapjen e propagandës terroriste.
Ndërkohë, numri i viktimave nga sulmet vdekjeprurëse me bomba në Stamboll është rritur në 44, sipas asaj që njoftoi ministri i Shëndetësisë, Recep Akdag, ditën e sotme. Mes tyre ishin edhe 36 oficerë policie.
“Fajkonjtë për Lirinë e Kurdistanit” (TAK), një nëndegë e lidhur me “PKK”-në mori përsipër përgjegjësinë e sulmeve të 11 dhjetorit, vetëm pak pasi kishte përfunduar ndeshja e futbollit mes Beshiktashit dhe Bursasporit në stadiumin e ndërtuar rishtazi të ekipit nga Stambolli.
“Hakmarrja” e presidentit Erdogan, i cili premtoi se askush nuk do t’ia hidhte paq me atë që ndodhi mbrëmjen e së shtunës, ka tejkaluar gjithashtu kufijtë e vendit. Avionët luftarakë turq kanë goditur dhe shkatërruar edhe 12 objektiva të “PKK”-së gjatë operacioneve nga ajri në rajonin verior Zap të Irakut. Gjatë operacionit 50-minutësh janë kryer 24 goditje dhe mes objektivave të shkatërruara janë një qendër komandimi dhe një depo armatimesh.
Diskutime rreth kësaj post