Shqipëria kishte shansin që këtë vit të hynte në hartën e vendeve turistike të preferuara të Europës. Si asnjëherë tjetër, ajo ka qenë në fokus të mediave të huaja, që i krahasonin plazhet shqiptare me ato të Karaibeve, që mahniteshin nga larmishmëria natyrore, mes detit, malit, liqeneve, lumenjve e mundësive për aventurë, që i thurnin lavde mikpritjes së njerëzve, ushqimeve të shijshme e të lira. Një imazh ndryshe i një Shqipërie të bukur, me njerëz të mirë, që kaq shumë na kishte munguar dhe që bëri të marrin rrugën për ta parë edhe turistë nga shtete të largëta, deri dhe nga Australia.
Shifrat janë optimiste. INSTAT raportoi për një dyfishim të numrit të turistëve në gjashtë muajt e parë të vitit. Numri i shtetasve të huaj që zgjodhën Shqipërinë për të pushuar këtë vit ishte 561 mijë, nga 229 mijë vitin e kaluar, me një rritje 144% krahasuar me janar-qershor 2016. Dy agjenci polake ITAKA, që ka hyrë në Shqipëri që vitin e kaluar dhe Rainbow, që filloi me çartera këtë vit, parablenë që në fund të vitit të kaluar më shumë se 1000 dhoma në hotelet e Durrësit, që falë kësaj kërkese nxituan të investonin për të përmirësuar infrastrukturën e brendshme dhe atë rrethuese, si dhe cilësinë e shërbimit, të ndihmuar dhe nga ulja e TVSH-së për akomodimin në 6% dhe përpjekjet e qeverisë për standardizimin e yjeve në hotele. Grupe turistësh po vizitojnë qytetet shqiptare, të tërhequr nga historia e lashtë mistike, e ndërthurur me të panjohurën e kohës së komunizmit dhe modernen e pas viteve ‘90.
Të huajt duket se po i sillnin vendit të shqiponjave atë që meritonte prej dekadash, por që shteti dhe qeverisja nuk kishin arritur t’ia jepnin gjatë metamorfozës së pas viteve ‘90.
Por Shqipëria duket tërësisht e papërgatitur për të përballuar një fluks dhe interes të tillë. Vetë aktorët e turizmit pohojnë se është e pafalshme që sot, Shqipëria të vuajë menaxhimin e mbeturinave, mungesën e ujit të pijshëm, ndërprerje energjie ose tension të ulët, trajtimin e ujërave të ndotura, mungesën e një transporti publik të standardeve dhe të kthehet çdo vit në një kantier ndërtimi në sezonin pik (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës). Ndërsa të huajt, ndonëse e presin (profili i turistit të huaj në Shqipëri është pa ndonjë pritshmëri të lartë për standardet) sërish habiten me primitivizmin e një shteti, që nuk arrin t’u plotësojë qytetarëve dhe vendit të vet as nevojat minimale të jetesës, që tashmë nuk i diskutojmë më as vende të prapambetura të botës së tretë.
Të mos arrish të pastrosh plehrat, sepse prej dy vitesh nuk ndan dot se cili është ai institucion që duhet ta bëjë një gjë të tillë dhe të fusësh ushtrinë në momentet e fundit, sikur je në kohë lufte, kjo shkon përtej së imagjinueshmes. Të ngushtosh rrugën aty ku pret të ketë fluks të lartë mjetesh dhe pastaj të mos arrish të menaxhosh trafikun, kjo jo vetëm shkon përtej paaftësisë, por është edhe djallëzore (shqiptari, që në shekuj është shquar për mikpritje, po trajton me mungesë totale respekti shtetasit nga Kosova, që flasin të njëjtën gjuhë). Të mos arrish të mbarosh akset kryesore rrugore, të lësh ende të derdhen ujërat në det, të mos arrish ende të kontrollosh territoret (si reagim ndaj kërkesës së lartë bregdeti ka filluar sërish ndërtimet pa një plan të mirëfilltë) është si ta dënosh një popull të vuajë në mjerim të përjetshëm. Të mos arrish të mbrosh njerëzit e tu nga mbytja, apo aksidentet e frikshme me motorë uji dhe të fshihesh pas hedhjes së topit nga një përgjegjës tek tjetri, kjo është e turpshme.
Zoti i ka dhënë Shqipërisë një natyrë kaq të bukur në kaq pak kilometra katrorë sa do t’ia kishte zili gjithkush. Por, më pas duket se është penduar, që i ka dhënë kaq shumë dhe i ka “dhuruar” një klasë politike, që në vite nuk ka bërë gjë tjetër, veçse i ka gërryer pa mëshirë këto bukuri.
Të huajt e shumtë këtë vit na kujtuam që kemi një vend me natyrë të pashoqe, për të cilin duhet jo vetëm të mburremi çdo mëngjes, por dhe që duhet ta mirëmenaxhojmë e ta mbrojmë, në mënyrë që të mos zhgënjejmë pritshmëritë e turistëve që po vijnë nga ana e anës. Ky është shansi ynë, shansi i Shqipërisë që nuk duhet ta lëmë të ikë!
Diskutime rreth kësaj post