Kandidati i Bashkë fitojmë në Shkodër Bardh Spahia e cilësoi një show të radhës turin e kryeministrit Edi Rama në Shkodër disa ditë pas fitores në zgjedhjet e 14 majit.
Përmes një statusi në faqen e vet në Facebook, Spahia shprehet se si një kryeministër që vjen nga një familje e nomenklaturës komuniste, Rama i vërsuli Shkodrës në 14 maj krimin, paratë e pista, administratën patronazhiste, policinë politike dhe çdo instrument tjetër për ta nënshtruar.
Postimi:
“Pas masakrës zgjedhore të 14 Majit, Edi Rama u rikthye në vendin e krimit. E bëri duke nisur nga një vend që kurrë nuk do të duhej të hynte brenda pa kërkuar më parë ndjesë. Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës nuk mund të jetë një hapësirë që kryeministri mund të dhurojë show-n e radhës në sytë e shkodranëve dhe shqiptarëve, pasi ai nuk e kupton peshën e rëndë që ka ai vend dhe ajo godinë. Për shumë familje brenda asaj hapësire dëshmohen vuajtjet e torturat çnjerëzore që kaluan të afërmit e tyre, bij e bija të Shkodrës. Nuk ka si ta dijë një kryeministër që vjen nga një familje e nomenklaturës komuniste.
E bën që Shkodrës t’ja dëshmojë në çdo kohë e në çdo formë urrejtjen patologjike që ka për të, pasi nuk ka të ngopur nga dhunimi që kërkon t’i bëjë qytetarisë shkodrane. Me të njëjtat skema si paraardhësit e tij, Edi Rama në 14 Maj i vërsuli Shkodrës krimin, paratë e pista, administratën patronazhiste, policinë politike dhe çdo instrument tjetër për ta nënshtruar, duke i tjetërsuar vullnetin e lirë qytetarëve të saj. E sot me shfaqjen e tij në rrugët e Shkodrës, përmes të njëjtave forma presioni e dhunimi certifikon krimin elektoral që prodhoi vetëm 5 ditë më parë. Ai dhe shpura e tij harrojnë se Shkodra nuk i është nënshtruar asnjëherë të keqes dhe gjithmonë përballë saj ka dalë më e fortë”, shkruan Spahia.
Diskutime rreth kësaj post