Trupi i pajetë i publicistit të ndjerë Andrea Stefani pritet të mbërrijë në Tiranë ditën e të martë.
Për të gjithë ata që do duan të shprehin ngushëllimet e rastit, trupi do vendoset shkurtazi për homazhe në ambjentet e TVSH përpara se të përcillet në banesën e fundit shkruan Dita.
Analisti i njohur Andrea Stefani është ndarë dje nga jeta.
Andrea vuante prej disa muajsh nga një sëmundje e rëndë.
Ai ishte prekur nga një tumor në stomak.
Për fat të keq, kimioterapia nuk dha efektet e pritshme. Ndërhyrja kirurgjikale rezultoi fatale.
Kolegu ynë është shuar të shtunë pasdite në një spital në Romë.
Ai nuk dëshironte që sëmundja e tij të bëhej publike dhe vazhdimisht qetësonte ata pak miq që e dinin duke u thënë që ishte diçka e lehtë që po kalonte dhe se kurimi po ecte mirë.
Andrea pas pak ditësh festonte 58 vjetorin. Ai ka lindur në 8 dhjetor të vitit 1958.
Fati i lig e deshi që data e tij e lindjes dhe ajo e vdekjes të ishin kaq pranë.
Andrea la pas bashkëshorten e tij Enkeleden dhe dy fëmijë, Danielin 15 vjeç dhe Stefaninë 12 vjeçe.
Diskutime rreth kësaj post