Analisti i njohur, Frrok Çupi ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa shprehet se protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha më 6 dhjetor mund të degjenerojë në dhunë e kaos. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Çupi theksoi se në protestë e 6 dhjetorit do derdhet gjak, pas sipas tij, Berisha është paguar nga Rusia për të shkaktuar kaos. Madje, ai shtoi se mercenarë rusë dhe iranianë do tentojnë të eliminojnë disa nga liderët e BE më 6 dhjetor. Ndërkohë, analisti Çupi u shpreh më tej se Berisha rrezikon të asgjësohet nga spiunazhi rus nëse nuk e ndez ‘flakë e tym’ Tiranën më 6 dhjetor,. Po ashtu, zoti Çupi tregon edhe rolin e djalit të ish-kryeministrit, Sali Berisha, Shkëlzen Berisha në Portin e Durrësit, që kreu i “Foltores” e sulmon si projekt, teksa zbulon edhe arsyen se pse kreu i PL, Ilir Meta ka braktisur kreun e “Foltores”.
-Zoti Çupi, Sali Berisha ka thirrur qytetarët në protestë më 6 dhjetor, ditë kjo kur në Tiranë do të zbarkojnë liderët e BE. Si ju duket ky vendim?
Protesta e 6 dhjetorit është një marrëzi, marrëzi e Berishës. E nis si heroizëm e i mbaron si komedi; ec e ec rrugës e tani thotë se ‘do të manifestoj për ardhjen e liderëve të BE’. I ka ngelur ora te manifestimet e Pionierëve të Enverit, me shallë të kuq në qafë. Por nuk është kaq e thjeshtë, Saliu është hileqar dhe i pasinqertë, gjithë jetën fshihet. Ku t’i besosh atij? Ai thotë ‘paqësore’ dhe mund të bëjë qametin në shesh; para ka pa fund, kriminelët e vjetër i ka angazhuar; kriminelë të rinj kanë lindur në prehrin e kriminelëve të vjetër… Dhe mund të ndodhë një incident me liderët e lartë të vendeve të BE. Në atë, moment ai mundtë thotë: ‘Jo unë, jo unë… Demonstrata im ishte paqësore…’. Siç ka bërë me krimet gjithë jetën. A mendoni se me pushën e vet i ka vrarë ata që vrau? Ai thjesht ka lëvizur pak njërën vetull: ‘Ma hiqni qafe Azemin…, bie fjala’. Por kjo betejë kundër pranisë së BE në Tiranë e vë përfundimisht në pozitën e tij reale, qëështë pozita kundër Perëndimit, kundër BE, kundër vlerave europianist. I bën edhe një të keqe të madhe vetes: Që në 6 dhjetor, fjalori politik dhe mediatik i perëndimit do të jetë ky: ‘Grupimi i Berishës, grupim anti- amerikan e anti- BE, në krah të partive simotra të Le Pen, etj.’
-Përveçse mazhorancës socialiste, të shumtë janë zërat, madje edhe brenda PD (asaj zyrtare të Alibeajt) që thonë se protesta e thirrur nga Berisha është tendencioze dhe synon të dëmtojë imazhin e Shqipërisë para ndërkombëtarëve, pasi do të mbahet paralelisht me takimin Shqipëri-BE. Keni një koment?
Ka një qasje të fshehtë, por shumë hileqare; që më duket se ka krijuar një lidhje edhe me Albin Kurtin e Vjosa Osmanin në Kosovë. E dini çfarë ndodhi sot mes Kosovës dhe BE? BE vendosi që të shtyjë pa afat shqyrtimin e heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, kur sapo ishte vënë në agjendë dhe mund të merrte përgjigje pozitive. Pse ndodhi kjo ‘tragjedi’ për lëvizjene lirë të qytetarëve kosovarë? Sepse lidershipi shtetëror atje sajoji një konflikt me Serbinë në Veri të Kosovës, konflikt për një çështje banale siç është ajo e targave të makinave. Kurti nuk dëgjoi aspak BE-në dhe Amerikën për zgjidhjen e konfliktit. Dhe BE vendosi tu mbyllë derën qytetarëve të Kosovës. Ja kështu mendon edhe Berisha: Të bëjë të keqen më të mundshme për vendin dhe kombin tonë. Kësaj here e ka zënë me demonstratën kundër BE. Por fatmirësisht, Amerika ka punuar në favorin tonë prej kohësh, u ka treguar gjithë botës cili është ‘i korruptuari i madh Sali Berisha;’ dhe tani askush nuk e merr seriozisht.
-A rrezikohet që protesta e thirrur nga Sali Berisha të degjenerojë në dhunë?
Jo, në dhunë nuk mund të degjenerojë…, por këtë ‘jo’ e them me një kusht: Nëse mes turmave të Berishës nuk do të futen misionarë nga Rusia. Por besojse nga Rusia do të ketë; kjo është protestë e Putinit kundër BE. Berisha është njeriu i tyre, aq më tepër tani kur Amerikë dhe BE e kanë njohur dhe i kanë thënë ‘sikterr prej nesh’. Ardhja e rusëve?… këtë e ka bërë Berisha edhe ën vitin 1997 me luftën kundër Vlorës. Atje solli ushtarë iranianë, nga ata mercenarë që kishin mbetur ende në Bosnjë. Kam frikë se do të ketë edhe gjakatarë iranianë atë ditë. Europa është e shqetësuar.
-PS këmbëngul se protesta e thirrur nga Berisha është e sponsorizuar nga Rusia, në mënyrë që përmes saj të shkaktojë trazira në Shqipëri dhe përtej në rajon. Sa qëndrojnë këto pretendime?
Nuk janë pretendimet e vetëm një partie ( PS) në Shqipëri. Gjithë bota akademike, politike, e analizës ushtarake, etj…, kanë ardhur në përfundimin se Rusia nuk e ka aq shumë me Ukrainën se sa me futjen e Kalit të Trojës në Bashkimin Evropian. E shikoni çfarë rreziku e pret Europën këtë dimër? Partia e Berishës, besoj se vetë Berisha, janë sponsorizuar nga Rusia. Këta mendojnë se do të fitojnë… Por nëse nuk fitojnë, çfarë janë gjasat më të mëdha, Berisha mund të ndodhet nën sulmet e spiunazhit rus. Ju e dini sa të egra janë ato sulme.
-Aleati i Sali Berishës, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Metaj duket si më i qetë dhe po vozit situatën, ndërkohë që ndryshe nga kreu i “Foltores” ka zbutur tonet dhe për protestën e 6 dhjetorit nuk ka folur ende. Çfarë po gatuan Meta me këtë qetësi olimpike? A ja kanë tërhequr veshin ndërkombëtarë kreut të PL?
Jo, as janë ndarë, as i kanë tërhequr veshin Metës. Ilir Meta funksionon ndryshe në atë kulm mafioz; Meta dhe Berisha janë të pabesë ndaj njëri-tjetrit, presin ku t’i shkelin bishtin tjetrit. Ilir Meta këtë herë po e lë Sali Berishën t’i dalë boja. Ilir Meta e shikon veten më të ri se Berisha dhe thotë ‘pse të djeg veten’ me beteja kundër Europës. Por të shikojmë deri atë ditë.
-Sipas jush a synon Ilir Meta kreun e opozitës?
Të dy e dinë se ‘po ia fusin kot, plako!’. As Berisha, as Meta nuk bëhen krerë në opozitë. Ata nuk do të jenë as pjesë e politikës parlamentare. Meta e di këtë, sigurisht. Por tallen me militantët e tyre, i gënjejnë, iu fusin fitilin dhe i lënë në bulevard.
-Gjithashtu Sali Berisha ka kërcënuar me mësymjen e protestuesve në Parlament dhe madje edhe në ambasadën britanike në Tiranë. Si ju duken këto deklarata dhe çfarë mesazhi kërkon të japë Berisha?
Ju thashë se Berisha e ndërron lëkurën rrugës, ec e ec! Në këtë rast ka marrë pamjen e kamikazit. Si kamikaz do të hidhet mbi muret e ambasadave perëndimore. Por tani nuk shkon më kjo punë, madje as me kamikazët në Ramallah.
-Ditët e fundit vendi është përfshirë nga shirat dhe si rezultat ka pasur përmbytje të mëdha, veçanërisht në Veri. Opozita bën përgjegjëse qeverinë dhe e akuzon se po “mbyt” me vetëdije Shqipërinë, pasi po vjedh energji dhe konsumon korrupsion galopant. Keni një koment?
Përmbytjet janë një fenomen që ndahet mes natyrës dhe njeriut. Natyra bën atë që di të bëjë, por sa e pret njeriu fatkeqësinë e aktit të natyrës? Ka plot probleme. Por më pak se kurrë me shira të tilla të papushim. Opozita kur ishte në qeverisje, ka shënuar akte dhe shifra të llahtrëshme në dëm të njerëzve në zonat ku ka më shumë përmbytje. Po ju them vetëm një fakt: Përmbytjet e vitit 2010 në Shkodër e sollën ujin në gjithë qytetin, deri të Teatri Migjeni. Mbytja zgjati tre vjet. Edhe një fakt tjetër: Në vitin 2010 të PD u përmbytën 14 mijë hektarë. Ndërsa këto ditë u përmbyt vetëm 1.3 hektarë tokë të përmbytura në Shkodër. Bëjeni krahasimin, i thonë 14 herë më shumë përmbytje atëherë
-Gjithashtu vendi zien nga debati për Portin e Durrësit, ku të shumtë janë ata, sidomos çifti “Berisha-Meta” që e cilësojnë atë si megavjedhje dhe skandal. Pse është kundër opozita dhe çfarë po ndodh sipas jush?
Unë di që këta që janë në opozitë janë konsumuar aq shumë në qeverisje, saqë tani nuk mund të merren seriozisht. E kanë bërë atëherë korrupsionin si leckë këpucësh, e kanë përdorur aq sa e kanë bërë Shqipërinë me kryeministrin ( Berisha) më të korruptuarin e rruzullit tokësor. Tani nuk u shikon syri, nuk u shikon gjë tjetër veçse ‘zi, mortje, vjedhje, shkatërrim, varfëri’. Këta nuk do ta pranonin kurrë një Shqipëri moderne si kjo që kemi tani. Vetë arritën kulmin deri te një tortë 500 metra katror për festat e 28-29 nëntorit e vitit 2012, tortë që na turpëroi para gjithë botës Ku mund të pranojnë këta zhvillim e përparim, ose vepër të madhe për Shqipërinë, Domethënë si Porti i Ri i Durrësit… Por unë di edhe që gjysma e ati territori, ku do të ndërtohet Porti është pronë e Shkëlzen Berishës, e vjedhur dhe firmosu nga babai i tij kryeministër. Pak kohë më parë Shkëlzeni po përpiqej ta shiste atë tokë me 5. 5 milionë euro. Kjo është Opozita dhe Porti.
-Ndërkohë më lejoni t’ju pyes për situatën e tensionuar Kosovë-Serbi, të cilat pavarësisht presionit ndërkombëtar nuk kanë arritur ende një marrëveshje për targat. Si ju duket situata atje?
Faleminderit. Situata në Veriun e Kosovës është shumë e tensionuar. Dhe për çfarë? Për punë targash… Shumë banale. Mendo këtë situatë botërore me luftë e me rreziqe të mëdha, qeveria e Kosovës merret me targat e makinave dhe bëhet kundër BE e kundër Amerikës. Kurti nuk e ka me Serbinë. Kurti i i Kosovës e ka me popullin e Kosovës dhe kundër Amerikës dhe kundër Europës. As ka pranuar ndonjë këshillë prej tyre. BE vendosi që të heqë nga agjenda e vet pranimin e kërkesës së Kosovës për heqjen e vizave, për të cilën populli i Kosovës po kërkon e vuan prej vitesh. Mendoni sa keq është puna. Ndërsa presidenti i Serbisë ka vënë gatishmërinë e tij për të zbatuar këshillat e Perëndimit, krejt ndryshe bën lidershipi i Kosovës. Këta mbjellin bimë e Absurdit, me qëllim që nesër të mbijë më shumë tension e konflikt.
Diskutime rreth kësaj post