Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu dje ka kritikuar qeverinë e re dhe kryeministrin Edi Rama. Shehu u shpreh se kjo qeveri është deformimi i demokracisë, atipike e një autokrati.
Deputeti tha se mandati i tretë i Ramës do të sjellë përkeqësim në të gjitha fushat. Sipas tij, po u lejua kjo qeveri jo demokratike, vendi do të bëhet çdo ditë e më keq.
“Kjo është një qeveri tipike e autokratëve. Qeveria Rama, një qeveri pa formë, pa kolonë, pa personalitete, që i shërben vetëm autokratit, si dikur në Shqipëri apo në autokracitë lindore. Kështu nuk ka zhvillim, përkundrazi. Kjo qeveri është një thellim i autokracisë, i deformimit të demokracisë e i degdisjes në Lindje. Mandati i tretë i Ramës do të sjellë përkeqësim të të gjitha indekseve të vendit. Vendi do vazhdojë të varfërohet, të boshatiset e të devijojë nga BE e Perëndimi. Shqiptarët çdo ditë që kalon bëhen më keq edhe më keq do të bëhemi po u lejua kjo qeveri në këtë mandatin e saj jo demokratik”, – tha Shehu.
Po ashtu, deputeti tha se nëse ky regjim nuk përmbyset atëherë pasojat do të jenë të rënda. Shehu u shpreh se opozita duhet që të reagojë duke e detyruar Ramën të përmirësohet. Sipas tij vetëm presioni i fortë i opozitës mund të krijojë ndryshime pasi votat nuk janë të mjaftueshme.
“Prognoza është shumë e rëndë në qoftë se ky regjim nuk përmbyset. Shkaku, strumbullari këtu është autokrati, Rama, të tjerët janë vetëm shtojca. Opozita, kryesisht PD duhet të jetë udhëheqëse e njerëzve për të reaguar. Tabloja e vendit është tragjike, pra duhet ndryshuar. Ky regjim nuk ka asnjë dëshirë të përmirësojë demokracinë, ai duhet detyruar për këtë. Aktualisht nuk ka asnjë besim reciprok, veçanërisht sot kur Rama shkatërroi marrëveshjet, edhe atë për Kodin Zgjedhor. Vetëm presioni ynë i fortë e i gjithanshëm do të krijojë premisat e ndryshimeve, se votat tona nuk mjaftojnë. Rama duhet vënë nën presion të pranojë përmirësimet”, – u shpreh ai.
Diskutime rreth kësaj post