Tregjet e huaja, interes në rritje për perimet shqiptare
Prodhimet bujqësore shqiptare vazhdojnë të tërheqin interesin e tregjeve të huaja, për cilësinë dhe shijen e vaçantë që kanë. Ministria e Bujqësisë bën të ditur se, eksportet e produkteve bujqësore shqiptare janë kthyer në një forcë të madhe për ekonominë e vendit.
Performanca e sektorit të bujqësisë gjatë vitit që lamë pas por edhe gjatë muajve të parë të këtij vitii ka qenë e jashtëzakonshme.
Perimet janë ato që i kanë dhënë shtysë shifrave të eksportit, duke arritur në thuajse dyfish, ku janë edhe kryesuese në vlerë ndaj produkteve të tjera. Kështu gjatë vitit 2015 janë eksportuar konkretisht rreth 4 miliard lekë perime, nga 2.1 miliardë që janë tregtuar gjatë vitit 2014.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, produktet bujqësore janë regjistruar në vlerën e 10.5 miliardë lekëve, nga 8.1 miliardë lekë që kanë qenë gjatë vitit 2014. Por rritje nuk është shënuar vetëm në vlerë monetare, por edhe në atë sasiore, nga 52.4 mijë ton, në 83 mijë ton perime të eksportuara. Në këtë kategori domatet dhe qepët zënë sasi të konsiderueshme, por nuk mbeten pas edhe perimet e tjera të cilat prodhohen në vend. Partnerët kryesorë të Shqipërisë në eksportimin e produkteve agro-ushqimore janë vendet e Bashkimit Evropian, dhe veçanërisht Italia, Greqia dhe Gjermania.
Ndërsa interes në rritje për perimet e freskëta made in Albania po tregojnë tregjet lindore, si Bullgaria, Serbia, Bosnja, Kroacia dhe Hungaria. Sipas ministrisë së Bujqësisë Gjermania, Italia, Hollanda, Franca janë tepër të interesuar për të blerë prodhimet tona të freskëta, kryesisht domaten, specin, kastravecin, duke i ofruar sektorit të bujqësisë një domethënie më të madhe për rolin që ka ne ekonominë tonë.
Diskutime rreth kësaj post