Në kohët e lashta, njëri prej mbretërve të asaj kohe një ditë kishte dalur për të shëtitur në tregun e vjetër, përderisa e shikonte zejtarët e popullit të tij i shkuan sytë në një dyqan të vjetër i cili nuk posedonte ndonjë gjë që i tërhiqte vizitorët, sepse dukej gati i zbrazur kurse pranë tij qëndronte një plak i kërrusur i ulur me qetësi në një karige të vjetër i zhytur në mendime.
Mbretit nuk i la përshtypje ndonjë gjë në këtë dyqan pos disa pikturave të cilat i kishte mbuluar pluhuri, iu afrua mbreti plakut dhe e përshëndeti edhe plaku ia ktheu përshëndetjen me fjalë të bukura, ai posedonte një qetësi të çuditshme dhe një vetëbesim të mahnitshëm.
E pyeti mbreti plakun e i tha: Kam hyrë në treg për ti blerë disa gjëra, po çfarë ke ti për të shitur?
Plaku iu përgjigj me qetësi dhe vetëbesim: Mirë se vini, ne posedojmë mallin më të mirë dhe më të shtrenjtë në treg. Plaku e tha këtë duke mos treguar ndonjë shenjë humori apo talljeje në fjalët e tij. Mbretit i shkoi buza në gaz nga përgjigja e plakut dhe i tha: A je serioz në këtë që thua?
Po, serioz me gjithë kuptimin e fjalës, iu përgjigj plaku sepse malli im nuk përkufizohet me çmim të caktuar, kurse malli tjetër i këtij tregu secila gjë e ka çmimin e saj që nuk e tejkalon. U befasua mbreti nga kjo që dëgjoi dhe nga vetëbesimi i këtij plaku. Heshti për një çast dhe filloi ta shikojë dyqanin cep më cep, pastaj tha: Mirëpo unë nuk po shoh në dyqanin tënd ndonjë gjë që ia vlen të blihet!
Plaku tha: Unë shes urtësi, kam shitur shumë prej tyre dhe kanë përfituar prej tyre blerësit e tyre dhe nuk më kanë mbetur tjetër pos këtyre dy pikturave. Mbreti me kureshtje e pyeti: Po a përfiton prej kësaj tregtie?
Plaku buzëqeshi e tha: Po zotëriu im përfitoj shumë prej tyre, sepse pikturat e mia janë shumë të shtrenjta! Iu afrua mbreti njërës pikturë e fshiu pluhurin mbi të, kur pa se në të shkruante: “Mendo para se të veprosh”.
E meditoi gjatë mbreti këtë fjalë, pastaj u kthye kah plaku e i tha: Sa e shet këtë pikturë?! Plaku iu përgjigj me qetësi: Vetëm dhjetë mijë dinar. Filloi mbreti të qesh me zë sa që i dolën lotët nga të qeshurit, mirëpo plaku ishte i qetë sikur mos të fliste fare dhe e shikonte pikturën e tij me krenari.
Mbreti i tha: Dhjet mijë dinar, a je serioz?
Plaku i tha: Bile s’ka diskutim për këtë!
U befasua mbreti nga këmbëngulja e plakut dhe nuk dinte çfarë të bënte pos të qeshte. Mendoi për një çast se ky plak nuk është tjetër pos një plak matuf të cilin e ka lënë mendja dhe filloi të bëj pazarllëk në çmim, i tregoi plakut se do të paguaj për këtë pikturë një mijë dinar, kurse plaku refuzoi, e rriti dy mijë pastaj tre pastaj katër derisa mbërriti në nëntë mijë dinar, mirëpo plaku vazhdonte të këmbëngulte në fjalën e tij.
Buzëqeshi mbreti dhe vendosi të largohet, duke menduar se plaku do ta thërras kur të largohet ai, mirëpo plakut nuk i la përshtypje largimi i tij, dhe ngadalë u kthye në karigen e tij dhe u ul me qetësi.
Përderisa mbreti shëtitej nëpër treg mendoi. Donte të merrte një vendim të pa dinjitetshëm, mirëpo e kujtoi fjalën e urtë: “Mendo para se të veprosh”. Dhe u spraps nga vendimi i tij, kështu që filloi ta ndjejë një qetësi shpirtërore. Filloi të mendojë dhe e kuptoi se përfitoi prej kësaj fjale të urtë, siç e kuptoi se shumë gjëra po ia shkatërrojnë jetën e tij duke vepruar pa menduar dhe me të shpejtë u kthye në dyqanin e plakut dhe porsa arriti i tha plakut: Vendosa ta blej këtë pikturë me çmimin të cilin e caktove.
Plakut nuk iu duk ndonjë shenj gëzimi për vendimin e mbretit, por me qetësi u ngrit prej në karigen e tij e mori një copëz pëlhure, e fshiu pluhurin e mbetur në pikturë, ia dorëzoi mbretit dhe e mori çmimin e plotë të saj, para se të largohej mbreti i tha plakut: Ta kam shit këtë pikturë me një kusht. Mbreti i tha: me çfarë kushti? Plaku i tha: Ta shkruash këtë fjalë në derën e pallatit tënd dhe në shumë vende në oborrin mbretëror e edhe në mjetet të cilat i shfrytëzon ndonjëherë kur ke nevojë! Mendoi për një çast mbreti dhe tha: Pajtohem.
Porsa arriti mbreti në pallat urdhëroi që të shkruhet kjo fjalë e urtë në shumë vende brenda pallatit siç urdhëroi të qëndiset kjo fjalë mbi rrobat e tij dhe në shumë enë ushqimi e mjete pune.
Kaluan ditë e muaj dhe një ditë kishte vendosur gjenerali i ushtrisë të bëj atentat në mbretin që ta marrë pushtetin në duart e tij, kështu që kishte lidhur marrëveshje me berberin personal të mbretit dhe e kishte mashtruar me disa lloje premtimesh, dhe në çdo moment pritej ekzekutimi i këtij atentati.
Kur u drejtua berberi drejt pallatit e kaploi një trishtim, si do ta mbys mbretin. Kjo është një punë e rendë dhe e rrezikshme, nëse dështon do t’i fluturoj koka e tij. Kur arriti te porta e pallatit e pa të shkruar në të: “Mendo para se të veprosh” dhe iu shtua edhe më shumë shqetësimi, i dridhej trupi dhe e pushtoj frika, mirëpo në fund e mblodhi veten dhe hyri. Në korridoret e gjata të pallatit e pa që fjala e njëjtë përsëritej disa herë aty këtu: “Mendo para se të veprosh”, “Mendo para se të veprosh”, “Mendo para se të veprosh”.
Derisa vendosi ta uli kokën e tij dhe të mos shikoj tjetër gjë pos tokës, mirëpo e pa edhe nëpër tapete të njëjtën fjalë e cila ia copëtonte zemrën dhe iu shtua edhe më shumë frika e shqetësimi dhe i shpejtoi hapat që të hyj në sallën madhështore mirëpo edhe aty u përball me të njëjtën fjalë: “Mendo para se të veprosh”. Përsëri e kaploi trishtimi dhe e ndjeu se kjo fjalë po i tingëllonte në veshët e tij me një ushtimë të fuqishme.
Dhe kur hyri mbreti u tmerrua kur e pa të shkruar në rrobat e tij: “Mendo para se të veprosh”. E ndjeu sikur mbreti i kishte me qellim këto fjalë dhe filloi të mendojë se ndoshta mbreti është në dijeni për planin e tyre.
Dhe kur erdhi shërbëtori me kutinë e rojës personale të mbretit, u llahtaris kur e lexoi mbi kuti të njëjtën fjalë: “Mendo para se të veprosh”. Duke e hapur kutinë i dridheshin duart dhe i shkuan djersët rrëke nëpër ballin e tij, e shikoi me bisht të syrit mbretin dhe ai dukej i qetë duke buzëqeshur, iu shtua edhe më shumë shqetësimi. Kur filloi ta vendos sapunin në fytyrën e mbretit e vërejti mbreti se i dridhej dora dhe filloi ta shikojë me kujdes dhe me druajtje, berberi deshi që t’i shmangej shikimit të mbretit dhe ktheu shikimin kah muri dhe e pa një pikturë para tij të shkruar: “Mendo para se të veprosh” dhe ra për toke duke vajtuar dhe duke i kërkuar falje mbretit dhe ia sqaroi mbretit detajet e komplotit ndaj tij.
Berberi i tregoi për ndikimin e kësaj fjale në zemrën e tij pasi e shihte në çdo vend, dhe e bëri ta pranoj gabimin të cilin donte ta vepronte. U ngrit mbreti dhe urdhëroi të kapet gjenerali i ushtrisë dhe ndihmëtarët e tij dhe e fali rojtarin. U ndal mbreti pranë asaj pikture dhe filloi ta fshijë pluhurin nga piktura, mbreti e shikonte me dashuri, krenari e lumturi pikturën në fjalë dhe u përmallua për plakun kështu që vendosi ta shpërblejë atë dhe të blej ndonjë fjalë tjetër të urtë prej tij, mirëpo kur arriti në treg e gjeti dyqanin të mbyllur dhe i treguan se plaku kishte vdekur.
Ky tregimi këtu përfundon, mirëpo përditshmëria jonë këtu fillon. Sa përleshje e kacafytje ndodhin në jetën tonë, për një fjalë të pa menduar? Sa familje shkatërrohen e sa çifte shkurorëzohen për një vepër të pa menduar? Sa vrasje e mbytje ndodhin për një lëvizje të pa menduar?
ETIKA E TREGIMIT:
Krijuesi ynë logjikën na e dhuroi, por shumë pak e po shfrytëzojmë, shumë fjalë tona nuk kanë kuptim, shumë vepra tona nuk kanë arsyetim, sepse veprojmë pa menduar dhe flasim pa analizuar e kjo në realitet na sjell shumë preukopime, komplikime, telashe e probleme të pa fundme, mirëpo njeriu çdo herë e arsyeton problemin e tij, e nuk e përmirëson veprimin e tij.
Më mirë është të mendosh e pastaj të veprosh, se sa të veprosh e pastaj të mendosh. Mbretit iu desh ta blej këtë urtësi për dhjetë mijë dinar, kurse ti merre falas këtë dhuratë edhe pse të duket e pavlerë, mirëpo nëse e zbaton mund ta ndryshojë jetën tënde. Dije se pakujdesinë tënde djalli e shfrytëzon, kështu që gjithmonë “Mendo para se të veprosh”.
Thotë i dërguari i Allahut a.s.: “I mençur është ai i cili e përul veten e tij, mendon çfarë vepron dhe punon për atë që vjen pas vdekjes (e furnizon veten me devotshmëri dhe vepra të mira), kurse i paaftë është ai i cili i ndjek epshet e tija dhe shpreson (shpërblimin) tek Allahu”, (transmeton Tirmidhiu).
Diskutime rreth kësaj post