Nga Skënder Minxhozi
Ambasada amerikane nuk humbi asnjë minutë kohë, pasi KQZ pranoi kërkesën e prokurorisë për heqjen e mandateve të deputetëve Selami e Tahiri dhe kryebashkiakut Rroshi, për të publikuar një mesazh me tone të forta përshëndetëse. Por edhe me një paralajmërim të qartë brenda: “Vendimi i sotëm është një fitore për popullin shqiptar dhe një paralajmërim për kriminelët që po mendojnë a të jenë kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA.
Qëndrim më të qartë s’ke ku gjen. Ndaj vendimit të institucioneve që aplikuan ligjin e dekriminalizimit, por edhe për të ardhmen e procesit të përzgjedhjes së funksionarëve politikë dhe zyrtarëve të tjerë shtetërorë në Shqipëri. Sepse rrëzimi nga KQZ i tre figurave më emër në parlament dhe pushtetin vendor, më shumë sesa një korrigjim kursi i të shkuarës, është një mësim për të ardhmen.
Ligji i dekriminalizimit ka qenë një ndër aktet më të debatuara gjatë viteve 2015-2016. Faktikisht, me vendimin e fundit të KQZ, i bie që aplikimi i tij në praktikë të ketë nisur rreth një vit pas miratimit të tij formal nga Kuvendi i Shqipërisë. Lista prej 20 zyrtarësh që pritet të trokasë në dyert e KQZ gjatë javëve të para të vitit 2017, mund të shënojë hyrjen në fazën aktive të një norme ligjore, e cila deri më sot është parë me dyshim dhe deri diku edhe ironi e tallje, për shkak të mungesës së efekteve imediate në jetën politike e institucionale.
Zgjedhjet e 18 qershorit do të jenë ngjarja e parë e madhe politike e vendit, që do të mbahet me një ligj dekriminalizimi në fuqi dhe një reformë në drejtësi që deri atëhere do të ketë hedhur hapat e para të zbatimit. Janë të gjitha gjasat që këto ndryshime madhore të kuadrit ligjor që rregullojnë pjesëmarrjen në jetën publike, politike e institucionale, të prodhojnë një klimë shumë më pak të “relaksuar”, ndaj infiltrimit të figurave me të shkuar të dyshimtë.
Rënia e tre zyrtarëve të lartë të shtetit duhet të jetë një alarm i qartë për të gjithë ata krerë partiakë apo shumica vendimmarrëse, që do të kenë tagër mbi listat e kandidatëve në zgjedhjet e të gjitha niveleve. Është mirë të ndahemi me nivelin e ulët ku ka katandisur në disa raste zanati i politikanit dhe drejtuesit a administratorit në këtë vend. Të gjithë përtypin emra konkretë në rrugë, kafene e media dhe sërish asgjë s’ndodh. Të gjithë dinë, askush s’vepron.
Tani edhe retorika me reformën në drejtësi, apo edhe ajo me largimin e kriminelëve, duhet t’ja lerë më në fund vendin vendimeve konkrete. Si ato që pamë të merren nga KQZ dhe ku opozita mundi të jetë vetëm pjesërisht partnere e luftës ndaj krimit e korrupsionit. Liderët kryesorë të këtij vendi kanë rastin të heshtin dhe të marrin vendime të drejta për ata që do të drejtojnë punët e shtetit, apo që do të na flasin të enjteve si përfaqësues të popullit. Pikërisht, si përfaqësues të popullit, e jo si “kriminelë” e “vrasës”, siç etiketohen mes vetes javë për javë./Javanews/
Diskutime rreth kësaj post