Përflitej prej muajsh se Haki Çako do shkarkohej, por mëngjesin e kësaj të hëne, u bë formal lirimi i tij nga detyra.
Çako iku, dhe duket se Xhafaj ka si synim kthimin drejt një ere të re në Policinë e Shtetit.
Për shkak të një ritmi të ngadaltë, Haki Çako la detyrën por jo i çuditur.
Në një prononcim të shkurtër për gazetarët ai konfirmoi dijeninë e tij për lëvizjet në Polici.
Në tavolinën e Fatmir Xhafës përflitet se janë tre emra në “garë” për të zënë vendin e Çakos.
Numri 2 i policisë së Shtetit, Rebani Jaupi, është komanduar përkohësisht si drejtor i Policisë, duke zënë një vend në listën e pritjes.
Nuk dihet nëse Jaupi do ketë fatin e Çakos që kur u komandua në vend të Artan Didit, u emërua në krye të Policisë.
Menjëherë pas komandimit të tij të përkohshëm, në media u përfol se Jaupi është një nga drejtuesit e promovuar nga policia e Saimir Tahirit.
Emri i dytë që përflitet është drejtori i policisë së Tiranës, Ardi Veliu.
Veliu është pjesë e “gardës” së Haki Çakos, duke marrë parasysh karrierën e tij gjatë kësaj periudhe.
Veliu shkoi në zyrën e Çakos menjëherë pasi ky i fundit shkoi të dorëzojë detyrën.
Emri i tretë në listë është Altin Qato, i komanduar nga Çako si drejtues i Policisë në qarkun e Elbasanit.
Qato u transferua në Elbasan pas ngjarjeve të vjeshtës 2017, ku një përplasje mes policisë dhe bandave hapi një tjetër skandal në këtë qytet.
Nuk dihet ende se cili prej tyre do jetë potencialisht drejtori i ri i Policisë, por përveç mbështetjes së ministrit Xhafaj, drejtori i ri i Policisë duhet të gëzojë aprovimin direkt të Kryeministrit Rama.
Nuk dihet nëse Kryeministri dhe ministri do të surprizojnë me zgjedhjen e tyre duke sjellë në skenë një emër ndoshta të panjohur.
Ajo që mund të thuhet me siguri është fakti se në Polici Vettingu ka nisur, dhe mbetet për t’u parë sesi ky proces do të vijojë.
Diskutime rreth kësaj post