Një ngjarje shumë e rëndë është zbuluar nga Washington Post, e cila ka publikuar një regjistrim audio të presidentit amerikan në detyrë Donald Trump.
Në bisedën çuditërisht shumë të gjatë, rreth një orë, presidenti Trump dëgjohet të ushtrojë presion ndaj Sekretarit të Shtetit të Georgias Brad Raffensperger, për të rillogaritur votat në favor të tij. “Më duhen vetëm 11.780 vota”, dëgjohet të thotë Trump, duke kërkuar nga Raffensperger të gjejë mjaftueshëm vota sa për të kthyer rezultatin i cili e nxirrte humbës në këtë shtet.
Ky veprim i Trump është konsideruar si një abuzim me pushtetin dhe një akt kriminal potencial. Washington Post siguroi një regjistrim të bisedës në të cilën Trump fillimisht me lutje dhe kërkim nderesh, e më tej me kërcënime me pasoja të paqarta nëse sekretari i shtetit refuzonte të ndiqte pretendimet e tij të rreme, paalajmëroi Raffensperger se po ndërmerrte “një rrezik të madh” duke mos e ndihmuar. Gjatë telefonatës, Raffensperger dhe këshilltari i përgjithshëm i zyrës së tij, hodhën poshtë kërkesat e Trump, duke shpjeguar se presidenti po mbështetet në teoritë e komplotit dhe se fitorja e Presidentit të zgjedhur Joe Biden me 11,779 vota në Gjeorgji ishte e drejtë dhe e saktë. Trump i hodhi poshtë argumentet e tyre.
“Njerëzit e Gjeorgjisë janë të zemëruar, njerëzit e vendit janë të zemëruar. Dhe nuk ka asgjë të keqe të thoni se i keni rillogaritur votat”, dëgjohet të shprehet Trump.
Biseda e ngatërruar dhe nganjëherë jo koherente ofroi një pamje të jashtëzakonshme se sa i dëshpëruar është Trump pas humbjes dhe se sa i gatshëm është që të kapet pas çdo gjëje, vetëm që të zbusë këtë humbje. Kjo lëvizje e Trump është shokuese, pasi ai i cili tërë këtë kohë ka akuzuar kundërshtarin e tij, demokratin i cili është tashmnë presidenti i zgjedhur Joe Biden, për manipulim me zgjedhjet, bën vetë përpjekje përtë manipuluar rezultatet.
“Nuk ka shanse që unë ta kem humbur Georgian. Ne fituam aty qindra mijëra vota”, tha Trump. Disa nga bashkëpunëtorët e tij ishin në linjë ndërsa ai fliste, duke përfshirë Shefin e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows dhe avokatin konservator Cleta Mitchell, përfshirja e të cilit në përpjekjet e Trump nuk ishte njohur më parë. Zëvendës presidentja e zgjedhur Kamala Harris e quajti bisedën e Trump një “abuzim të guximshëm të pushtetit nga presidenti i Shteteve të Bashkuara”, ndërsa avokati kryesor i fushatës së Biden, Bob Bauer, tha se regjistrimi “paraqet gjithë historinë e turpshme në lidhje me sulmin e Donald Trump ndaj demokracisë amerikane”.
Sipas Washington Post, Trump ishte ai që foli më shumë gjatë bisedës telefonike, duke arritur madje deri aty sa ta quante Raffensperger “fëmijë”. Më tej ai i ka quajtur zyrtarët si ose ”të paaftë” ose “jo kompetentë”, për mos gjetjen e mashtrimit me votat në Atlanta.
Paralajmërim kundër përdorimit të ushtrisë
Të dhjetë ish-sekretarët e mbrojtjes që janë gjallë kanë dalë publikisht me një deklaratë kundër përfshirjes së ushtrisë në përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Përmes një letre të fortë, ish-zyrtarët e lartë të administratave të mëparshme si demokrate, ashtu edhe republikane, i bëjnë thirrje udhëheqjes aktuale të Pentagonit t’u rezistojë përpjekjeve që mund të çojnë “në një drejtim të rrezikshëm, të paligjshëm dhe anti-kushtetues”.
Dhjetë ish-sekretarë amerikanë të mbrojtjes thanë të dielën në një artikull opinion të botuar në gazetën Washington Post se ushtria nuk duhet të luajë rol në përpjekjet e Presidentit Trump për të bllokuar transferimin e pushtetit tek Presidenti i Zgjedhur, Joe Biden. Ky grup që përfshin ish-sekretarin e Mbrojtjes Mark Esper, i cili u shkarkua muaj më parë nga Presidenti Trump, si dhe pararendësin e tij, James Mattis, thanë se ka ardhur koha që presidenti të pranojë se i humbi zgjedhjet dhe se zoti Biden do të marrë drejtimin e vendit më 20 janar.
Diskutime rreth kësaj post