Në pjesën e dytë të “Ka një mesazh për ty”, në e “Diela Shqiptare”, Ardit Gjebrea u nis për në Elbasan, për të takuar zonjën Burbuqe.
Ajo ka dy dekada që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ka ardhur enkas për të rrëfyer jetën e trishtë të familjes dhe për t’i dhënë një mesazh dajës së saj, Baftjarit.
“Historia e saj është e trishtë, por nuk do të zbuloj asnjë detaj, sepse do të rrëfejë vetë zonja Burbuqe dhe ne do ta ndjekim bashkë”, tha Gjebrea teksa hipi në makinë dhe u nis drejt Elbasanit.
Pasi e mirëpriti Ardit Gjebrean në shtëpinë e saj, ajo rrëfeu fillimisht për ndarjen e prindërve, kur ishte vetëm 12 vjeçe, e më pas për sëmundjen e nënës së saj, e cila vuante nga skicofrenia.
“Kur kam qenë 12 vjeçe, ne ishim 6 fëmijë, 5 motra dhe një vëlla. Edhe kishim një jetë normale si çdo familje në atë kohë. Flas sot e 45 vjet. Një natë, ishte komplet errësirë, në kuzhinë nuk kishte drita dhe babai më thotë, neve do ndahemi. Por unë nuk e kuptoja se çfarë kuptim kishte fjala ndarja. Në atë kohë nuk ndahej njeri. Babain e kam pasur gjithnjë debulesë, e doja më shumë. Nuk e kuptoja çfarë po ndodhte dhe i thashë që do të vij edhe unë me ty. Në jemi të gjithë në 9 muaj të njëri-tjetrit, dhe të gjithë erdhën pas meje. Por menduam se ishte lojë, shaka. Shikoj nënën time që po qante dhe më tha që babai do na linte për gjithmonë. Unë u preka aq shumë dhe që atë ditë, unë ndjeva komplet një ndjenjë tjetër për nënën, m’u dhimbs shumë. Gjatë kësaj kohe ajo kishte filluar të kishte sëmundjen që i shpërtheu më mbrapa, por ne se kuptonim. Ajo quhej skicofreni”.
Kjo ishte arsyeja e ndarjes mes tyre?
“Nuk e di, nuk e kuptoja. Vetëm 12-vjeçe, nuk e di. Por di që nëna ime ishte e sëmurë më parë, mesa kuptohej. Motivi ky ishte. Babi na la dhe iku. Nëna vazhdonte shtrohej në spital çdo tre muaj, në psikiatrinë e Tiranës. Babai u largua nga shtëpia dhe u martua. Nëna u rëndua më shumë. Ajo kishte një kemp, të cilin e menaxhoja unë që isha vetëm 12-13 vjeçe, më shumë i prishja pa kuptim. Me mendjen time gatuaja, laja, mundohesha të kujdesesha për të tjerët. Gjatë kësaj kohe nëna sëmuret edhe me kancer në gji. Gjendja ekonomike ishte jo e varfër, por e mjerueshme, e paimagjinueshme. Miniera e Valiasit, vendosi që të na jepnin qumështin falas dhe dru për t’u ngrohur, na lidhën edhe dritat.”
Në këtë pikë, zonja Burbuqe rrëfen që njeriu i vetëm që ju gjend pranë ishte daja i saj, vëllai i nënës. Ai ishte i adoptuar, por kjo nuk qe kurrë pengesë për përkushtimin e dhembshurinë që ai pati për nënën e saj dhe to.
“I vetmi person që ne na u gjend afër, ishte daja, vëllai i nënës time. Ai jetonte në një fshat të Fierit, në atë kohë me rroga kooperative dhe dihet sa i varfër ishte. Ai ndoshta aq lekë merrte dhe në atë kohë ai ishte i vetmi njeri i familjes që na u kushtua neve”.
Kur jo thoni daja, është vëllai i mamasë?
“Gjyshja ime ka pasur vetëm 3 vajza dhe burrin në atë kohë ia kanë vrarë. Kunata, nëna e këtij dajës që kam unë, lind djalë dhe ia fal gjyshes time. Daja im është i birësuar, por ai është dajë dhe kaluar dajës. Dhe është i vetmi njeri që është kujdesur për nënën time”.
Çfarë bënte për nënën tuaj?
“Kur nëna ime u shtrua, se shtrohej gjithmonë, ndonjëherë shkelte ligjet/rregullat. Ka grisur njëherë në minierën e Valiasit portretin e Enver Hoxhës, se i thoshte mendja se ai të ndan nga burri. Sepse ajo e donte babanë tmerrësisht. E morën dhe nuk e dënonte njeri dhe e çonin në spital. Kur ka ardhur në Elbasan, babai që të mos kishte më pengesa, firmosi sikur të ishte vëllai, për ta mbajtur nënën time në spitalin e psikiatrisë përgjithmonë. Unë e di që vëllai (daja) ka ardhur dhe i ka thënë kur do të dalë motra nga spitali dhe ata i kanë thënë që ka firmosur vëllai, që kjo do rrijë gjithë jetën në spital. Jo i thotë ai, unë jam vëllai dhe unë motrën time do ta marr”.
Përse doni t’i jepni mesazh dajës tuaj?
“Sepse atë që provoi daja im unë e provova më rëndë nga ai. Daja im ndihmoi nënën time, që e kishte motër. Tani gjërat ndryshuan, ne u rritëm të gjithë u martuam, krijuam familjet tona dhe u bëmë madhor. Nëna vdiq me kancer, që e mbajti daja. Dhe në vitin ’98 unë shkoj në Amerikë, shkoj e para tek vëllai im si turiste. Nga aty, fati im aplikova, fitova dokumentet. Vëllai ishte në gjendje të mirë shëndetësore, ekonomike. Pas 6 muajsh më vijnë fëmijët dhe vëllai kalon të njëjtën gjë që kishte nëna, skicofreni, u sëmur dhe vëllai. Në kohën që shkova në Amerikë, unë marr edhe djalin e vëllait me vete.”
Pra vëllai ishte i martuar në Shqipëri?
“Vetëm 6 muaj dhe u divorcua. Iku në Gjermani, pastaj në Amerikë dhe u nda. Fëmija ngeli këtu me të ëmën dhe gjyshen e tij. Vendosa që ta çoj në Amerikë. Gjithmonë me leje të të dy prindërve. Vëllai fatkeqësisht u sëmurë. Mund t’i ndodhë kujto, fati qe që i ndodhi vëllait tim. Që më mirë të na kishte rënë ne motrave sesa atij, një vëlla të vetëm.”
Ajo tregon më tej se në momentin që vëllai u sëmurë, motrat nuk u bënë më të gjalla.
“Ne jemi 5 motra. Njëra është në Shqipëri, një në Amerikë dhe 2 në Greqi. Ajo e Amerikës u bë e gjallë, për një periudhë të shkurtër. Vëllai jetonte me mua, gjatë gjithë kohës që u sëmurë, pa arritur në kohën që u sëmurë edhe djali i vëllai me të njëjtën sëmundje”.
Zonja Burbuqe rrëfen se pas vëllait, sëmundja preku edhe djalin e tij në moshë fare të re dhe se ajo është personi që kujdeset për të dy.
“Edhe djali i vëllait. Mamaja vdiq, tani është vëllai, u sëmurë 32-vjeç, ndërsa djali i tij u sëmurë vetëm 19 vjeç. Ata jetojnë të dy me mua”.
Pra atë që bëri daja e zonjës Burbuqe, tashmë po e bën ajo vetë, me dashuri për vëllain e saj dhe djalin e tij. Por çfarë dëshiron t’i thotë ajo dajës së saj?
“Unë dajës tim dua ti them që unë e kuptoj më shumë sesa shumë ka bërë ai njeri dhe unë nuk kam arritur ti them faleminderit. Faleminderit është shumë pak, për një njeri që ka bërë aq shumë”.
Zonja Burbuqe kishte edhe një mesazh për motrat e saj.
“Që të jenë më të dhemsura dhe të mos harrojnë të kaluarën e tyre. Të kujtohen për vëllain e tyre se çdokush e ka një 1 mijë lekë të marrë vëllain, ta urojë për ditëlindje e festa. Unë nuk po them ta marrësh përditë, ato nuk u kujtuan më për vëllain e tyre. Unë s’kam gjë me motrat e mia, ato s’kanë gjë konkretisht me mua. Por mendoj po të më kishte ndodhur mua, edhe mua motrat nuk do më flisnin më”.
Sa kohë keni pa e takuar dajën?
“Unë dajën kam, pa gënjeshtra, më shumë se 21 vjet. Kam ardhur dy herë në Shqipëri dhe kam bërë gabimin më të madh që nuk e kam takuar. Nuk e kam takuar jo sepse nuk doja. Unë po t’i shkoj, ai është shumë i butë si njeri, por ndoshta ai do të jetë shumë i mërzitur me mua.. “.
Zonja Burbuqa tha se daja e saj jetonte në Fier, por nuk e dinte ekzaktësisht ku. Ardit Gjebrea i tregoi se stafi i “Ka një mesazh për ty” e kishte gjetur dajën e saj dhe e ftoi zonjën Burbuqe të që shkonin sëbashku për ta takuar.
Diskutime rreth kësaj post