Libri i ish-Presidentit vazhdon të ngjallë sërish debat e kërshëri qe prej javës së shkuar kur doli në qarkullim.
Pjesë nga libri i ish-kreut të shtetit: Incidenti në ullinjtë e kopshtit me mjetin ushtarak në kulmin e përplasjeve me Sali Berishën
Nga Bamir Topi
Ditët e para të dhjetorit të vitit 2007 u shpreha dëshirën dhe vullnetin miqve amerikanë, për të zhvilluar një vizitë në Irak, për të takuar trupat shqiptare të kontingjentit të 10 të operacionit “LIRIA E IRAKUT”. Natyrisht duhej një përgatitje e kujdesshme e kësaj vizite, për të organizuar udhëtimin dhe takimet zyrtare. Nuk vonoi shumë dhe përgjigjja erdhi pozitivisht, duke marrë parasysh gjendjen e sigurisë së udhëtimit në një vend si Iraku.
Më datë 22 dhjetor, herët në mëngjes, u nisëm drejt Munihut në Gjermani, nga i cili udhëtimi do të vazhdonte me avionin e linjës deri në Kuvajt City. Kisha dhënë porosi të veçantë që vizita nuk do të paralajmërohej, pasi vizitat e kësaj natyre kishin me vete riskun. Çdo gjë duhej të vinte surprizë për grupet antiperëndimore të Irakut, i cili edhe pse e kishte mbyllur kapitullin me Sadam Hyseinin, ishte në një luftë civile ku shiitet dhe sunitet ishin në një përplasje për kontrollin e vendit.
Pas disa orë udhëtimi me Luftansën, kishim lënë mbrapa dimrin me borë në Gjermani dhe kishim mbërritur në pranverën e Kuvajtit, ku temperaturat ishin 28 – 29 gradë. Pas pritjes tepër miqësore nga një përfaqësues i qeverisë së Kuvajtit, iu drejtuam Presidencës ku mikpriten delegacionet që vizitojnë Kuvajtin. Hapësira dhe shkretëtira pa fund dhe tek-tuk ndonjë pus nafte ende në gjendje pune.
Programi i vizitës parashikonte takimin me ushtarakët në Mosul dhe më pas vizitë në Bagdad. Ulja e avionit drejt pistës së aeroportit të Mosulit, u bë jo si një zbritje graduale, por për të qenë të sigurt nga armët e grupeve antiperëndimore, ulja filloi të bëhej me disa lëvizje ku rënia ishte e lirë dhe për çdo manovër uleshim me 100 m kuotë, në mënyrë që i gjithë operacioni i uljes të bëhej brenda hapësirës së sigurisë në aeroport.
Me të zbritur në Mosul, u ndeshëm me një mikpritje të veçantë nga ushtarakët amerikanë dhe shqiptarë.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar në mjediset e repartit mora fjalën e përshëndetjes duke falënderuar forcat tona dhe aleatët në një mision që bëri krenar çdo shqiptar, për më tepër Kryetarin e Shtetit, që ishte dhe Komandanti i Përgjithshëm i FA.
E shfrytëzova momentin për të shprehur besimin se Shqipëria ishte futur në rrugën e integrimit në NATO, ku pas tre muajsh do të merrte ftesën e anëtarësimit në Bukuresht.
Me këtë rast dekorova kontingjentin shqiptar me titullin: “Shqiponja e Artë”, drekuam së bashku dhe realizuam një video konferencë me familjarët në Shqipëri.
Emocionet kishin mbërritur kulmin, ndërkohë që na njoftojnë se duhet të largoheshim për të vijuar udhëtimin për në Bagdad.
Pasi u përshëndetëm përzemërsisht, avioni mori rrugën drejt Bagdadit kur ora kishte shënuar 14:00 të mesditës. Pasi u ulëm në aeroport, iu drejtuam helikopterëve, të cilët do të na dërgonin drejt “green zonë”, zonë ku ndodhej selia e qeverisë dhe Komanda Supreme e NATO-s.
Fluturimi me helikopter në vajtje u bë mes përmes qytetit, ku shfaqeshin të gjitha rrugët, ndërtesat dhe njerëzit që lëviznin nëpër rrugët e pasigurta të Bagdadit, ku vetëm një ditë më parë ishte hedhur një bombë, e cila kishte vrarë më shumë se 100 njerëz të pafajshëm në tregun e qytetit.
Sidoqoftë, udhëtimi i drekës mbi qytet nuk kishte rrezik dhe pas rreth 20 minutash fluturimi u ulëm në heliodromin e zonës së sigurisë, ku na prisnin automjetet e blinduara për të shkuar drejt zyrave të kryeministrit Nouri al – Maliki.
Po përshkonim rrugët e gjera të Bagdadit, madje kaluam te rrethrrotullimi, ku kishte qëndruar deri në momentin e rrëzimit statuja e Sadamit, pamje të cilat i kishim parë në televizor.
Kryeministri Al Maliki kishte dalë për të na pritur dhe pas takimit na ftoi në zyrën e tij, e cila herë pas here kalonte në errësirë nga shkëputja e energjisë elektrike.
Ndriçuesit me bateri më kujtuan për një çast Shqipërinë kur vuante nga mungesa e energjisë elektrike.
Pas një takimi 30-minutësh dhe konferencës së përbashkët për gazetarët e shumtë të pranishëm, makinat u nisën drejt Pallatit ku kishte jetuar Saddam Hussein, një ndërtesë e madhe e veshur në mermer dhe me hapësira të mëdha. Në hyrje të zyrave të tij kishte dalë për të na pritur gjeneral David H. Petraeus, komandant i forcave ajrore paqeruajtës. Pas takimit të ngrohtë, në të njëjtat mjedise të Pallatit, u takova me ambasadorin e SHBA-së në Irak, Rayan Croker, ku u shpreh besimi se Shqipëria së shpejti do të futej në NATO.
Ndërsa koha kishte kaluar me shpejtësi dhe pakuptuar, në Bagdad kishte rënë mbrëmja, e cila ishte me rrezik të lartë për sa i përket sigurisë së fluturimit.
Kur ishim larguar nga ndërtesat qeveritare, automjetet po shkonin drejt helikopterëve që do të na kthenin në aeroportin e Bagdadit.
Shqetësimi i ushtarakëve ishte i madh. Pasi ishin shprehur se ishim vonuar jashtë çdo lloj limiti, po rrezikonim me atë fluturim që do të bëhej në orët e errësirës. Na njoftuam që nuk mund të kalohej më nga qendra e qytetit, por do të zgjidhej një rrugë nga periferia e Bagdadit, në pjesën veriore të tij. Të veshur me antiplumb dhe helmeta u futëm me shpejtësi në helikopter, i tipit APACHE, i cili u ngrit me një vrull të çuditshëm gati 45 gradë.
Dyert e helikopterit qëndronin hapur dhe nga të dyja anët ishin ushtarë me armët mitraljerë drejtuar nga rreziku i pritshëm që mund të vinte nga çasti në çast.
Ndihej te të gjithë një psikozë e riskut të madh. Dhe vërtetë, pasi helikopterët kishin marrë kuotën dhe po ecnin me shpejtësi, nga toka shikojmë një lëmsh të zjarrtë që vinte drejt nesh. Kishim kaluar raketën e parë tokë-ajër që rebelët i përdornin në të tilla raste. Pas daljes bosh, shikojmë raketën e dytë që erdhi thuajse në një kohë me të parën duke goditur pjesën e poshtme të barkut të helikopterit. Një tronditje e lehtë dhe fatmirësisht asgjë më shumë. Na kishin goditur, por teknologjia e strukturës së helikopterit ishte e përsosur.
Për pak minuta arritëm në aeroportin ndërkombëtar të Bagdadit, ku do të merrnim avionin ushtarak për t’u kthyer në Kuvajt.
Më akomoduan në një dhomë të madhe të pallatit të gjuetisë pranë një liqeni, i cili ishte ngjitur me aeroportin, duke më thënë se avioni do të vinte pas dy orësh nga Kuvajti. Kisha kaluar një ditë interesante, por edhe stresuese për çka kishte ndodhur.
Dhe po qëndroja në pritje pikërisht në apartamentin e Sadamit, një dhomë e stërmadhe diku tek 300 m2, si shenjë e një sjelljeje vanitoze nga diktatori, që historia i kishte rezervuar një fund të hidhur.
Avioni ushtarak po bënte segmentin e fundit të udhëtimit, ndoshta më interesanti i jetës sime, kur shumë shpejt na shfaqet një pamje spektakolare e një qyteti të madh mbuluar me një ndriçim vezullues.
Ishte Kuëait City. Ishim kthyer në paqe dhe siguri, aq të dëshiruara edhe nga populli i traumatizuar i vendit që sapo kishim lënë pas.
Isha në një gjendje shpirtërore komplekse. Isha i kënaqur që kisha realizuar një detyrim moral dhe zyrtar, por dhe nga mundësia që pata për të vizituar një nga vendet dikur më të zhvilluara të Gjirit Persik (ose vendin e 6 milionë palmave), sot në luftë për të kthyer qetësinë, por që ende nuk ka mundur ta rikthejë.
Incidenti i dytë, që dua të ndaj me publikun, lidhet sërish me një helikopter, por në Shqipëri.
INCIDENTI i RËNDË i ULJES SË HELIKOPTERIT TË USHTRISË NË OBORRIN E SHTËPISË SIME
Në vjeshtën e vitit 2012, pak muaj pas dorëzimit të detyrës si Presidenti i Republikës, u ftova të drejtoj një parti të re politike, Fryma e Re Demokratike (FRD), e cila brenda një periudhe të shkurtër të ekzistencës së saj, vendosi të marrë pjesë në zgjedhjet e politike të 23 qershorit të vitit 2013.
Dalja në skenë e këtij grupi politik ngjalli besim te njerëzit dhe një shqetësim të natyrshëm te partitë e vjetra politike, në mënyrë të veçantë te Partia Demokratike.
Sali Berisha po e përjetonte keq rifutjen time në politikë, për më tepër në vitin e fundit të mandatit të dytë të qeverisjes së tij dhe në vitin kur gara elektorale do të ishte tepër e vështirë për pushtetin e tij të diskretituar rëndë në publik.
FRD-ja po merrte jetë në të gjithë Shqipërinë. Zyrat e saj gumëzhinin nga njerëz të të gjitha moshave, intelektualë, të rinj e të reja, kryesisht me bindje politike të djathta, të cilët ndiheshin thellësisht të zhgënjyer dhe pa shpresë se Berisha dhe klani i tij do të ndreqeshin.
Aksioni dhe fokusi i betejës politike ishte qartazi kundër pushtetit despotik të Sali Berishës, i cili përveçse i përfshirë në korrupsion masiv, kishte tradhtuar përfundimisht interesat e qytetarëve, për më tepër që kishte mashtruar rëndë pronarët, të përndjekurit politikë dhe aspiruesit e shumtë të së djathtës në Shqipëri.
Në daljen e parë publike pas rikthimit në politikë, e quajta misionin e kryeministrit të kohës si “Kalë Troje” brenda së djathtës, duke artikuluar akuza të rënda politike në adresë të tij, madje në numrin e parë të gazetës sonë politike ekspozuam në të gjithë faqen e parë të saj fotografinë kur Sali Berisha kishte dalë me familjarët e Enver Hoxhës në një varkë buzë liqenit të Pogradecit në vitet kur shqiptarët vuanin të izoluar pushtetin e tij.
Qëllimi i betejës sonë politike ishte konkurrimi dinjitoz i FRD-së në zgjedhje dhe rrëzimi i Sali Berishës nga pushteti.
Ditë pas dite, shqetësimi për të po rritej, duke bërë që përveç betejës së hapur në publik, Sali Berisha të fuste në lojë spiunët e tij në Shërbimin Informativ, që pas gushtit të vitit 2012 drejtohej nga një ushtar besnik i tij, Visho Ajazi, ish-zëvendës i Gazidedes, kur shteti ishte marrë në dorë nga shërbimet sekrete, aq sa edhe njerëzit me pushtet në qeveri ndiheshin të intimiduar.
Me urdhër të tij filluan të bëheshin pjesë e strukturave politike të FRD-së, “me dëshirë” disa njerëz të Shërbimit Sekret, të cilët jepnin informacion mbi anëtarësinë dhe mbillnin përçarje te njerëzit, por pa munduar të realizonin plotësisht qëllimin e tyre diabolik.
Automjete të Shërbimit, që kishin mision kushtetues të merreshin me sigurinë kombëtare, po angazhoheshin posaçërisht me “ruajtjen” e godinës ku ishin vendosur zyrat qendrore të partisë së re politike.
Informacioni që vinte nga njerëz që punonin në SHISH ishte tronditës. Në të gjitha takimet mbështetësit tanë filmoheshin e fotografoheshin për t’iu nënshtruar presionit për t’u larguar me “dëshirë” ose për t’u përballur me heqjen nga puna pa motiv të gjithë njerëzve të afërt.
Sipas meje, ndonëse Sali Berisha e kishte ndier rrëshqitjen e pushtetit të tij drejt humnerës, madje ishte i sigurt në ecjen e tij drejt humbjes, i druhej pjesëmarrjes në Parlament të një force alternative të së djathtës, për më tepër të disa figurave politike publike që do ta “kryqëzonin” në betejat e ardhshme politike.
Duke parë efektin e pashmangshëm të FRD-së në zgjedhje, një ditë përpara se të formoheshin zyrtarisht koalicionet parazgjedhore, Sami Gjergji ishte kontaktuar nga njerëz të Berishës për të pranuar një koalicion me Partinë Demokratike.
I njëjti informacion u prezantua nga nënkryetari i FRD-së, Aleksandër Biberaj, me të cilin kishin biseduar njerëz të rrethit familjar të kryeministrit. Diskutimet mes anëtarëve të Kryesisë së FRD-së, çuan
përfundimisht në rrëzimin e ftesës për të lidhur koalicion me njeriun që donin ta shihnin të rrëzuar nga pushteti.
Marrëdhëniet me të diktonin një vendimmarrje morale, mbi interesin për të pasur disa vende të sigurta në Parlament.
Përgjigja “Jo”, ishte paralajmërimi i një beteje të ashpër publike në vazhdimësi.
Vendimi për të dalë vetëm në zgjedhje ishte i vështirë në kushtet e një sistemi që nuk garanton zgjedhje të ndershme. Vërtet ne kishim ngjallur besim, por në të njëjtën kohë kishim stimuluar më tej egërsinë e kundërshtarëve politikë, që së pari lidhej me Sali Berishën, por nuk përjashtohej Edi Rama, i cili përveçse po shfrytëzonte këtë koniunkturë politike të favorshme për të, nuk garantonte asgjë të ligjshme për ruajtjen e votave të FRD-së, në komisionet zgjedhore të kontrolluara nga PD-PS.
Ndërsa dita e zgjedhjeve afronte dhe beteja politike ishte ashpërsuar ndjeshëm, unë po zhvilloja një tur intensiv në të gjithë Shqipërinë. Për hir të së vërtetës ne po tregoheshim më të ashpër se socialistët kundër mënyrës se si kishte qeverisur Berisha, ai që po bëhej gati të dilte në opozitë.
Një ditë të diel, dy javë para zgjedhjeve, u nisëm drejt Skraparit, ku ishte parashikuar së pari një takim në Çorovodë dhe më pas rreth mesditës një takim elektoral në Poliçan.
Gjithçka kishte shkuar mirë dhe ndërkohë që po freskoheshim në një bar të qytetit, më vjen një telefonatë nga Teuta, ku dallohej menjëherë që kishte ndodhur diçka.
— Bamir ku je?
— Në Poliçan. Pse? — iu përgjigja i tensionuar për të marrë vesh ç’kishte ndodhur.
— E di çka ndodhur para pak minutash në oborrin e shtëpisë?
— Mos më pyet, por më thuaj shpejt! — ndërkohë që pa kuptuar kisha krijuar një lloj kurioziteti te miqtë që po më dëgjonin.
— Një helikopter i ushtrisë është ulur midis ullinjve dhe tani po ngrihet prapë!
Fusha midis ullinjve është brenda mureve rrethues të oborrit të shtëpisë rrëzë malit të Dajtit dhe vetëm 20 m larg banesës, ku në kohën e uljes së helikopterit e gjithë familja ishte aty, duke përjetuar një ankth të vërtetë nga zhurma, dridhjet e të gjitha sendeve në banesë dhe nga veprimet e pakuptueshme të pilotëve të helikopterit të shoqëruar nga persona të tjerë të cilët filmonin.
Veprim i çuditshëm, pasi oborri i shtëpisë sime kishte qenë i hapur vazhdimisht për mediat, të cilat kanë pasur mundësi të filmonin gjithçka, për më tepër që unë dhe familjarët nuk e kemi vuajtur asnjëherë paranojën e filmimit të pronës që buron nga gjyshërit e mi.
– Ruaj qetësinë dhe mundohu të fiksosh sa më shumë gjëra, ndërkohë që unë po nisem menjëherë drejt Tiranës! Mos harro të njoftosh oficerin e ruajtjes së objektit, njeri i Gardës, për të shënuar gjithçka në procesverbal, — pa marrë parasysh që Sali Berisha dhe Garda e Republikës ishin e njëjta gjë!
Pas kësaj bisede u nisa me shpejtësi, duke njoftuar mediat për sa kishte ndodhur. Kur arrita në shtëpi, të gjithë konfirmonin të njëjtën gjë, uljen e helikopterit dhe terrorin e përjetuar në rezidencën e ish-presidentit, që ende konsiderohej me ligj, objekt i rëndësisë së veçantë.
Përveç komunikimit me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, që më vonë u bë deputet i Partisë Demokratike, të cilit i kërkova hetim të ngjarjes, të nesërmen denoncova incidentin, ku pa dyshim theksova se prapa tij qëndronte urdhri i Sali Berishës për të bërë shantazh në familjen e ish-presidentit dhe sot kryetar i një partie politike, që ishte në opozitë me të dhe tërë arrogancën e pushtetit të tij.
Natyrisht, përgjigjet se çfarë kishte ndodhur i merrja të segmentuara, por u informova edhe nga burime konfidenciale, të cilat më vonë do të konfirmoheshin: nuk kishte asnjë lloj dyshimi, ishte aplikuar një skenar kriminal, i denjë për një film hollivudian.
Rreth pesë vjet më vonë, pikërisht një ditë maji 2018, kur politika e ditës ishte në kulmin e përplasjeve dhe akuzave për konspiracion, pas një takimi privat me një përfaqësues të një organizate të certifikuar në epiqendër të Europës, ngjarja e helikopterit e qershorit 2013 rivjen, por kësaj radhe në mënyrë të përpiktë se çfarë kishte ndodhur atë ditë, cilët ishin personat e përfshirë dhe se nga kush ishin urdhëruar. Natyrisht, për rrethana të veçanta personi që po bisedoja kishte informacion të saktë.
Ish-komandanti i skuadriljes së helikopterëve të bazës së Farkës, Sokol Çuni, kishte marrë porosinë, që më vonë mori natyrën e një urdhri, që duhet të fluturonin dhe të uleshin në oborrin e rezidencës së ish-presidentit.
Ndonëse kishte kërkuar arsyet dhe kishte dështuar të merrte urdhër me shkrim nga eprorët, i ishte nënshtruar një presioni të fortë psikologjik, gjendje të cilën ia rrëfeu personit që kisha tashmë në tavolinë, si të vetmit dëshmitar që sipas pilotit do të dinte ta çonte si informacion në vendin e duhur, nëse gjërat do të shkonin keq.
Sidoqoftë, të urdhëruar dhe nën presion, Sokol Çuni dhe piloti i ri, Donald Hoxha, i cili do të gjente vdekjen dy vjet më vonë në një aksident ajror mbi liqenin e Shkodrës, u ngritën në fluturim vetëm me një urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, si një fluturim rutinë, në një ditë të diel, pa urdhrin me shkrim të komandantit epror Dhori Spirollari, i cili ndonëse nuk kishte kurajën ta ndalonte këtë aventurë, mbrojti veten duke mos lënë gjurmë me firmën e tij, për një fluturim ku gjërat do të komplikoheshin gjatë rrugës.
Jashtë bazës së helikopterëve, pilotët do të uleshin për të marrë persona të tjerë, duke thyer çdo ligj dhe betim ushtarak, duke futur në mjetin fluturues njerëz të paautorizuar dhe për më tepër me një mision antikushtetues, si cuba të vërtetë.
Flitej se njëri ishte pjesëtar i strukturave të SHIU-t (Shërbimi Informativ i Shqipërisë), një tjetër biznesmen dhe një këngëtare e njohur publikisht, e cila paguhej në borderonë e Gardës së Republikës.
Sipas informacionit jozyrtar (pasi askush nuk nxirrte këmbët), pas një udhëtimi në ishull Lezhë dhe konsumit të pijeve apo narkotikëve, kthehen për të kryer misionin e përgatitur prej kohësh, i ideuar nga njeriu që e kishte katandisur ushtrinë e një vendi të NATO-s në instrument shantazhi ndaj kundërshtarëve politikë, madje kundër njeriut që zyrtarisht kishte marrë në dorë protokollin e NATO-s ditën e pranimit të Shqipërisë në Aleancë më 3 prill 2009.
Duke ndier që gjërat po komplikoheshin, Dhori Spirollari kishte denoncuar fluturimin në një letër të botuar në shtyp.
Pak ditë më vonë, ideatori dhe urdhëruesi, për të mbyllur si Ponc Pilati këtë skandal që mbante autorësinë me emrin e tij, gjeneralin dhe pilotin Sokol Çuni i pushuan nga detyra për t’u justifikuar rreth një skandali që mbetet si një nga më të rëndët në biografinë e skandaleve të realizuara nga Sali Berisha apo njeriu antishtet.
Në të gjitha akuzat e mia publike, ky njeri nuk pati asnjëherë kurajën të fliste, duke pranuar në heshtje monstruozitetin e radhës me sjelljen e tij prej diktatori.
Pas korrikut 2012, Sali Berisha kishte në kontroll të gjithë shtetin. Kjo gjë dihej botërisht, por ne kishim iluzionin që pas zgjedhjeve të 2013-s ai do të largohej nga kontrolli i institucioneve. Ende sot nuk jam i sigurt për këtë.
Dikush me eksperiencë në politikë më thotë se personi në fjalë ende i ka ca falanga të kthetrave të tij te fuqia e pushtetit dhe për këtë ka gjetur edhe mirëkuptim te pasardhësi në qeveri.
Diskutime rreth kësaj post