Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim, Jozefina Topalli, rrëzimin e Kodit Zgjedhor e sheh si hapin e parë që duhet të ndërmarrë Gjykata Kushtetuese. Dje Myslim Murrizi me Astrit Patozin bënë një padi në Kushtetuese kundër ndryshimeve në kod, ndërsa sipas Topallit, ato ndryshime janë pazari i fundit Rama-Basha.
“Por ka një mijë arsye të tjera të Kodit Zgjedhor që duheshin çuar në Gjykatën Kushtetuese sepse në fakt marrëveshja ose pazari i fundit dhe me dëmin më të madh ndaj lirisë së votës dhe lirisë së zgjedhjes është pazari që kanë bërë dy kryetarët e partive në opozitë dhe në qeveri për të çimentuar pozicionet e tyre jo vetëm për të bërë monopol forcat politike kryetarë të të cilave ata quhen, por për të bërë monopol edhe skenën e re politike për të shtuar pengesat për çdo lëvizje të re”, tha ajo në një intervistë televizive.
Për Topallin marrëveshja mes Ramës e Bashës shkon përtej reformës zgjedhore dhe për këtë arsye sondazhi i fundit i institutit demokratik amerikan tregoi se 2/3 e qytetarëve janë të pakënaqur nga qeveria, por edhe nga opozita.
“Unike në botë, hyn në Guinness dhe ndodh vetëm kur opozita është e shitur tek qeveria. Në asnjë vend të botës nuk ndodh që shoqëria të jetë më e pakënaqur nga opozita sesa nga qeveria sepse ata kanë tradhtuar atë që ishte shpresa e shqiptarëve tek opozita për të sjellë një ndryshim. Ata kanë kuptuar se brenda treshes ka një riciklim ku mund të ndryshojnë drejtorët e doganave apo tatimeve por në jetën ë tyre nuk ndryshon asgjë”, tha ajo në “Vizion Plus”.
Topalli sjell në vëmendje, se Edi Rama, Lulzim Basha e Ilir Meta janë prej dekadash në pushtet e janë përgjegjës për situatën, ku ndodhet vendi.
“Nuk është thjesht se ekonomia jonë ka shkuar në recesion, këta 3 kryetarë të korruptuar kanë çuar demokracinë në recesion dhe kjo është një tjetër arsye e thellë për të cilën duhet ndryshuar dhe ndryshimi fillon nga largimi i 3 kryetarëve të korruptuar”, tha ajo.
Topalli ka një thirrje për demokratët, që t’i bashkohen Lëvizjes për Ndryshim, si rruga për t’i sjellë ata në pushtet.
“Mandatet tona do të shkojnë tek demokratët, tek çdo qytetar që është kundër korrupsionit, që është kundër 3 kryetarëve dhe që beson se një alternativë tjetër e bën këtë Shqipëri më të mirë, më pak të korruptuar”, deklaroi Topalli.
Diskutime rreth kësaj post