Altin Binaj, anëtari i Gjykatës Kushtetuese i zgjedhur pak ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit Ilir Meta sot, në orën 12:30.
Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e kreut të shtetit, bëhet me dije se “ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë apo një përfaqësues i Kuvendit, Kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, dhe Avokatja e Popullit”.
Kandidatura e tij i ishte dërguar Kuvendit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Altin Binaj bëhet tanimë anëtari i 5 i Gjykatës Kushtetuese. Në total kjo gjykatë duhet të ketë 9 anëtarë, por funksionaliteti i saj mund të arrihet së paku me 6 gjyqtarë.
NJOFTIM PUBLIK
“MBI ORGANIZIMIN E CEREMONISË SË BETIMIT TË GJYQTARIT TË RI TË GJYKATËS KUSHTETUESE
Në Institucionin e Presidentit të Republikës është administruar me nr. 4309 prot, datë 21.12.2020, Vendimi nr. 77, datë 17.12.2020 i Kuvendit të Shqipërisë, për zgjedhjen e zotit Altin Binaj anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në mbështetje të nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pasi administroi vendimin e Kuvendit, ka vendosur:
– Zoti Altin Binaj, anëtar i Gjykatës Kushtetuese i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot ditë e martë në datë 22.12.2020, ora 12:30.
Ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë apo një përfaqësues i Kuvendit, Kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, dhe Avokatja e Popullit.” – shkruhet në njoftim.
Diskutime rreth kësaj post