Florent Hasani së shpejti mund të marrë pasaportën shqiptare. Sulmuesi i Kosovës dhe Tiranës prej një viti po luan dhe jeton në Shqipëri. Në fund të kampionatit ai u shpall golashënuesi i kampionatit shqiptar. Gjithsesi, burime bëjnë me dije se menaxherët e lojtarit po bëjnë të pamundurën që sulmuesi të marrë pasaportën shqiptare, duke plotësuar dokumentacionin e kërkuar.
Në fakt, sulmuesi nëse merr nënshtetësinë shqiptare shumë shpejt mund të luajë për kuqezinjtë dhe jo vetëm. Pasaporta do të jetë një mundësi e mirë për transferimin e tij jashtë Shqipërisë. Lojtari ka ofertë nga skuadra prej Azerbajxhanit, por një pjesë e këtij vendi nuk njeh pasaportën kosovare. Në këto kushte, Hasani nëse merr shtetësinë shqiptare e ka shumë të lehtë të firmosë edhe në vende ku nuk njihet Kosova.
OFERTAT – Mësohet se për futbollistin interesohen skuadra nga Turqia, Kroacia, veç atyre nga Azerbajxhani. Lojtari është lideri i bardhebluve këtë sezon. Ai la verën e shkuar Hungarinë për Shqipërinë, por duket se shumë shpejt, ndoshta pas Europës, do të prekë një aventurë tjetër. Ende nuk janë zbuluar skuadrat, të cilat kërkojnë shërbimet e shqiptarit, ndërkohë nuk përjashtohet mundësia që edhe ekipe të tjera të duan Hasanin në javët në vazhdim.
Sulmuesi i bardhebluve është shënjestruar nga skuadra arabe dhe mund të kalojë në Arabi kundrejt një shume të majme që mund të fitojë ekipi bardheblu. Te Tirana janë të sigurt që Hasani do të ikë dhe do të sjellë para. Halili ka vendosur ta shesë me një shifër jo më pak se 500 mijë euro. Sulmuesi kryesor i Tiranës, i cili këtë kampionat ka shënuar 19 herë mes Superiores, Superkupës dhe Kupës së Shqipërisë, në fund të sezonit mund të largohet nga bardheblutë.
STATISTIKAT – Kartoni i lojtarit vlerësohet 500 mijë euro. Ai është futbollisti më i shtrenjtë i Tiranës.
Po kështu, këtë kampionat, veç 19 golave, Hasani që është 26 vjeç, në 42 takime në kampionat ka dhënë 8 asiste, si dhe ka qenë në fushën e lojës 3381 minuta. Hasani është edhe golashënuesi i kampionatit shqiptar me 16 gola, ndonëse nuk luajti ndeshjen e fundit. Për të zëvendësuar Hasanin, Tirana i ka marrë masat. Ajo ka firmosur me Liridon Latifin, që prej një muaji është pjesë e bardhebluve.
Diskutime rreth kësaj post