Nga Enkel Demi
Nuk besoj se do e kisha dëgjuar Babastars me “High 3”, nëse ajo vajza eurosocialiste nuk do të ishte bërë virale në rrjet. Por, kur pashë që kënga në kanalin e Babastars kishte 8 milionë e gjysëm klikime kuptova që isha krejt prapa botës. Kënga është prelud i konsumizmit dhe jetës së shfrenuar, por nuk mund ta fsheh që është e lezetshme. Ka vargje të ashpra, të shkruara me një shqipe rrapa-zhdrrapame anglishten që futet si kunj, por është këngë si thonë naçut high.
Janë ca djem që fryhen si gjela, me makina luksoze, të stolisura me ar, veshje të gjera dhe ekstravagante, mjekra dhe vetulla të kuruara që kanë një ideologji:
“Jetoj shumë high me nji jetë t’komplikume / Krejt jon’ t’pagume era myk lek’t jon t’palume”
Ideja është që këta kanë shumë pare dhe nuk i lënë të vijnë era myk, se i bëjnë rrush e kumbulla, se janë high. Doja të arrija tek puna e breznisë dhe ja ku vjen Geasy dhe thotë: “Veq thuje ditën caktoje datën / E n’drroj krejt’ lojën t’qifsha gjeneratën!”
Është një paradë reperash që janë high, por kanë dhe një revoltë të çuditshme. Po të kisha aq pare, atë lloj fiziku, majë kubit të qelqtë në bregdet, as do e vrisja mendjen ta proklamoja si isha. Këta janë më ndryshe kanë nevojë ta thonë në refren, madje disa herë:
“Na jena ndryshe vërehem prej ngjyrës / Na jena ndryshe jena high prej natyrës”
Si përfundim, megjithëse bëj shumë mund ta kuptoj mesazhin e këngës, duhet ta pranoj që kënga është zbavitëse ta dëgjosh dhe ta shohësh si klip.
Duke lënë mënjanë moralin mendoj se breznitë kanë një hendek të madh komunikimi. Më të rinjtë, mjeshtrat e botës virtuale dhe rrjeteve, kanë tjetër mënyrë për të përcjellë mesazhet, ideologjinë. Më të moçmit takohen çdo të enjte dhe kanë pak a shumë të njëjtin zell në hidh e prit si Babastars. Në të vetmen pikë ku bashkohen breznitë është kulti i pares dhe konsumit. Ata tipat që janë high të vënë në hall të madh ty që ke marrë pagën gjithë jetën, sado që je munduar të marrësh pjesën më të madhe të byrekut, një lambo as e ke parë, as do e shohësh me sy. Ata bëjnë klipe dhe nuk e vrasin mendjen. Ata janë dishepuj të shkëlqyer të asaj Perëndie që etërit e modernë të Kombit i kanë ngritur kult. Ata besojnë në fuqinë e pares dhe aspak në përdorimin e saj si forcë zhvilluese. Beteja për paranë është ekzistenciale, por edhe sfiduese. Më i bukuri i katundit është ai që ka paren, ai që në ziafet ia hedh orkestrës qindëshet e eurove si rrebesh shiu. Tek paratë është edhe konflkti në politikën e ditës. Tek paratë qëndron retorika politike për konçesionet, taksat, hajninë. Tek paratë ngeci dhe karkaleci i Byrosë, Reformës në Drejtësi. Prandaj, nëse Geasy thotë një të vërtetë që nuk e luan as topi ajo është:
“…n’drroj krejt’ lojën t’qifsha gjeneratën!”
Diskutime rreth kësaj post