Të ndier të ofenduar nga veprimi i tifozëve të Crvena Zvezdës të cilët e parkuan një tank pranë stadiumit të tyre në Beograd, përkrahësit e Dinamo Zagrebit janë përgjigjur duke e parkuar një traktor të tipit Ferguson pranë stadiumit të vet në Zagreb.
Tifozët e Crvena Zvezdës shkaktuan polemika duke e vendosur një tank ushtarak pranë stadiumit të tyre, para ndeshjes së kthimit në play-off të Ligës së Kampionëve kundër klubit zviceran, Young Boys, transmeton Gazeta Express.
Tanku, i llojit T-55 i blerë nga depoja ushtarake, është parkuar pranë stadiumit si “atraksion”, sipas klubit serb, Zvezdës.
Megjithatë, ky vendim i ka ndarë tifozët dhe ka nxitur reagime të ashpra nga shteti fqinj, Kroacia, i cili e ka vlerësuar vendosjen e tankun aty si simbol të sulmit të forcave serbe në qytetin Vukovar në fillim të Luftës Kroate për Pavarësi në vitet 1990-ta.
Gazeta e përditshme sportive e Kroacisë “Sportske Novosti” e ka kritikuar veprimin e Zvezdës duke e quajtur “provokim morbid nga Beogradi”. “Ata duan të luajnë në Ligën e Kampionëve duke e festuar njërin prej krimeve më të rënda”, shkruan gazeta kroate.
Tani, tifozët e Dinamo Zagrebit e kanë vendosur një Ferguson pranë stadiumit Maksimir. /Gazeta Express/
Diskutime rreth kësaj post