“Veshja e re dhe prestigjoze institucionale”, me të cilën Matteo Salvini uronte të shihte shumë shpejt udhëheqësin e ekstremës së djathtë suedeze, Jimmie Akesson, duhet të presë. Sverige Democraterna, partia ksenofobe, raciste, nacionaliste dhe antievropiane, ka regjistruar një sukses të fortë duke kaluar 20 përqindëshin që parashikonin sondazhet. Por nuk do të jetë në qeverisje.
Sipas parashikimeve të para, koalicioni i qendrës së majtë, që deri më sot ka udhëhequr vendin dhe ai i qendrës së djathtë, do të kenë të drejtën për të qeverisur dhe do të garojnë për këtë. Por të dy, prej kohës kanë përjashtuar mundësinë që ta bëjnë këtë me ksenofobët e Akessonit.
Megjithatë, për socialdemokratët, zgjedhjet e djeshme shënuan një hap të forta pas, një prej rezultateve më të këqinj të historisë së tij, gjatë të cilës kanë krijuar atë “modelin suedez”, që ishte shndërruar në një pikë referimi në nivel planetar. Edhe kur funksionon, edhe kur garanton rritje ekonomike, mirëqenie dhe një administratë efiçente për qytetarët, socialdemokracia duket se e ka ezauruar aftësinë e saj për të krijuar një konsensus të moderuar si dhe pë rtë folur me njerëzit.
Përveç rritjes së të djathtës ekstreme, ka patur dhe një rritje të fortë të komunistëve, që pothuaj kanë dyfishuar votat. Por rezultati i zgjedhjeve suedeze, lë të kuptohet edhe për një dallim të lehtë që po nis të shquhet në Evropë.
Kudo, në kontinentin e vjetër, populistët janë në rritje, të shtyrë nga paaftësia e administratave për të menaxhuar fenomenin e migrimit. Për panoramën e vjetër politike, tradicionalisht e ndarë mes popullorëve, socialistëve dhe liberalëve, është një tërmet i vërtetë. Por reagimet ndaj kësaj sfide ofrojnë dy modele të ndryshme. Nga njëra anë janë vendet ku partitë demokratike tradicionale refuzojnë çdo lloj aleance me forca që nuk ndajnë vlerat themelore të liberalizmit evropian. Kjo ka ndodhur në Gjermani, Holandë, Belgjikë, dhe pas një apeli për zgjedhësit gjatë raundit të dytë, edhe në Francë. Kjo do të ndodhë me siguri edhe në Suedi. Në Britaninë e Madhe, e djathta ekstreme e UKIP u shkri në diell madje, pas fitores së referendumit.
Ndërsa në Itali, ashtu sikurse edhe në Greqi, Austri dhe në Finlandë, e djathta ekstreme populiste, nacionaliste dhe ksenofobe u kooptua në qeveri, nga partitë e shumicës që kanë patur iluzionin, me pak apo pa sukses, se mund t’i kontrollonin. Në rastin e Lega Nord, Salvini madje u pranua dy herë: një herë nga Berlusconi dhe Ppe, që bëri koalicion me të për të fituar zgjedhjet, pa ia dalë. Më pas nga Lëvizja Pesë Yjet, që ka pranuar të formojë një qeveri me një parti, vlerat e të cilës bien ndesh me ato që predikon udhëheqja e Beppe Grillos para zgjedhjeve.
Problemi që shtrohet tani është: cili prej dy modeleve është i destinuar të mbizotërojë, duke parë një rritje të të djathtës ekstreme në Evropë, që të gjithë sondazhet e paraqesin si të pashmangshme në të ardhmen e afërt? Do të mbizotërojë logjika e kordonit sanitar, që i konsideron të panegociueshme disa vlera themelore, në bazë të demokracive evropiane? Apo do të mbizotërojë logjika e njohjes, që do të shtyjë drejt kooptimit të të djathtave populiste, ksenofobe dhe nacionaliste në qeveritë e shtete dhe ndoshta, pas zgjedhjeve evropiane të pranverës së ardhshme, edhe në qeverisjen e BE?
Çështja, natyrisht që është e hapur. Vetë Ppe, Partia Popullore Evropiane që nuk ka patur asnjëherë forcën dhe kurajën që të përjashtojë hungarezin Orban, teoricieni i demokracisë joliberale, mund të tundohet të bëjë koalicion me të djathtën ekstreme, për të garantuar një monopol konservator mbi Evropën. Por nuk mund të injorojë se sa e vështirë është që të përmbash dhe kontrollosh infeksionin populist dhe joshjen që ky mund të ketë mbi një elektorat të moderuar. Shembulli i Berlusconit, e tregoi qartë. Por edhe rrëshkitja progresive e CSU bavareze dhe popullarëve austriakë në pozicione ultranacionaliste, duhet të jetë një këmbanë alarmi. Nuk është e thënë që do të dëgjohet.
Burimi: La Repubblica
Diskutime rreth kësaj post