Opozita vendosi të lërë në bllok mandatet, por në listë mungonte një emër jo i parëndësishëm. Rudina Hajdari, vajza e liderit të studentëve të dhjetorit tha se ndodhej në SHBA duke justifikuar mosmarrjen e vendimit të saj.
Kur kanë kaluar 3 ditë nga ky vendim i opozitës, Hajdari nuk jep një qëndrim të qartë. Deputetja e PD-së shprehet se do ta bëjë publik shumë shpejt vendimin e saj, pasi është konsultuar me personalitete politike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Komenti i plotë në Facebook:
“Është e natyrshme që historia ime familjare ndikon sa në sjelljen time politike aq edhe në perceptimin publik të saj.
Kushtetuta e Shqipërisë e ka përcaktuar “heqjen dorë nga mandati” të deputetit si vendim individual, pavarësisht kësaj unë nuk e ndiej vetën aspak të shkëputur nga grupi parlamentar i PD dhe nga misioni i saj.
Për shkak të karakterit dhe formimit tim, “vendimet” i kam vlerësuar gjithnjë fort duke i’u kushtuar kohën, analizën dhe vëmendjen e duhur dhe ky rast është një ndër më të rëndësishmit.
Për këtë, gjatë kësaj periudhe jam konsultuar me personalitete politike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të aleatëve më të çmuar, seriozë e të vendosur në rrugën e vështirë të kombit tonë, që nga shpallja e pavarësisë, rrëzimi i regjimit komunist e më tej në proceset transformuese të zhvillimit ekonomiko-social dhe të integrimit euro-atlantik.
Mandatin e deputetit nuk e kam konceptuar kurrë si “një mjet të interesit vetjak i cili nuk duhet dorëzuar kurrsesi”.
Nuk ka kaluar kohë shumë e gjatë nga 8 dhjetori 2018 kur shpreha gatishmërinë time të sinqertë për të lënë mandatin e deputetit e për t’u bashkuar me studentët për kauzat e kombit, “për ndërtimin e një sistemi të vërtetë demokratik në Shqipëri”, por ky propozim ishte në një kontekst komplet të ndryshëm nga ai që është tani. Bëhej fjalë për sakrificë politike individuale për t’iu ardhë në ndihmë studentëve në kauzën e tyre dhe jo për vendim kolektiv i cili pritet të ketë rrisqe.
Ju lutem të më mirëkuptoni se nuk kam mundur të shprehem për këtë çështje prej mbrëmjes të së premtes që jam kthyer për shkak të disa problemeve shëndetësore. Qëndrimin tim do t’a bëj publik shumë shpejt.
E kam shumë të qartë misionin tim si person politik por edhe si qytetare, do të jem gjithmonë e rreshtuar përkrah me demokratët, të rinjtë, studentët dhe qytetarët Shqiptarë në interesin kombëtare për një Shqipëri demokratike dhe Evropiane”. /lapsi.al
Diskutime rreth kësaj post