Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, i ftuar në emisionin ‘’Frontline’’ të Marsela Karapanços, në News24, ka folur për zgjedhjet për kryetar në PD, që do të mbahen më 13 qershor.
Teksa tha se mbështet Lulzim Bashën, duke sqaruar dhe arsyet, Gjekmarkaj ironizoi kandidatët e tjerë përballë Bashës, duke u shprehur se PD nuk është ”call-center” dhe s’mund të kandidojnë figura të vogla me ambicie komike.
“Në PD nuk mund të përsëritet skema e Edi Ramës me sondazhe të trukuara e të tjera mekanizma. Ose të ketë figura të vogla me ambicie komike. PD nuk është call-center”, – tha deputeti Gjekmarkaj.
Më tej, Gjekmarkaj deklaroi se Basha momentalisht është dukshëm fitues dhe protagonist, dhe detyra e tij tashmë është të marrë mandatin e mbrojë partinë, kurse kandidatët e tjerë janë për ambicie personale në garë.
“Detyra e Bashës është të marrë mandatin dhe të mbrojë partinë nga agresioni ku ndodhet. Kandidatët e tjerë? Ndonjë bën zhurmë për t’i rritur “piacen” emrit të tij. Normale dhe kjo, por pa ndonjë dobi publike’’ – shtoi Gjekmarkaj.
Sipas tij, zgjedhjet e 25 prillit ishin masakra elektorale më e madhe e 30 viteve demokraci dhe për këtë s’ka pse të fajësohet apo akuzohet Basha ose t’i kërkohet dorëheqja si kryetar i PD.
Ndërsa për shpalljen ‘non grata’ të Berishës, Gjekmarkaj ripërsërit se ishte një aksident dhe nuk do dëshironte kurrë që Rama apo ndonjë përfaqësues i PS t’i ndodhte e njëjta gjë.
Diskutime rreth kësaj post