Ekstradimi i mësuesit turk Harun Çelik është gjykuar ashpër nga eurodeputeteja Ramona Strugariu, e cila ka kritikuar qeverinë shqiptare përmes një statusi në Twitter.
Në postimin e saj ajo shkruan se nëse Shqipëria është gati për BE atëherë të respektojë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe të mos e ekstradojë mësuesin turk.
Shtetasi turk është akuzuar si mbështetës i Gylenit, kundërshtarit të Presidentit Erdogan dhe është 42 vjeç. Ai është kapur në aeroportin e Rinasit rreth 6 muaj më parë ku tentoi të kalonte tranzit me pasaportë false kanadeze. Pasi kreu dënimin në Shqipëri iu premtua se do dërgohej në qendrën e azilkërkuesëve.
“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni #HarunÇelik në Turqi!” shkroi ajo.
Neni në fjalë thotë: “Askush nuk mund të hiqet, përzihet ose ekstradohet drejt një Shteti ku ka rrezik serioz që ai apo ajo t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera ç’njerëzore apo degraduese.”
Diskutime rreth kësaj post