Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi ka folur sa i përket shitblerjes së votës në vend. Në një intervistë televizive teksa iu referua edhe deklaratës së ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila u bëri thirrje qytetarëve që të mos shesin votën, Koçi pranoi se ka të fortë, të cilët ndikojnë në politikë.
Ai u shpreh se shitblerja e votës është një fenomen fatkeqësisht që ka ndodhur dhe ka subjekte politike që janë profesioniste në këtë punë.
“Nuk mund të mjaftohet interpretimi i politikës amerikane vetëm duke iu drejtuar institucioneve, por duhet t’i drejtohet edhe ndërgjegjes së shoqërisë. Siç dihet shitblerja e votës është një fenomen që ndodh. Ne kemi parti saqë janë profesionistë të shitblerjes së votës. Nuk dua ta përmend se cila është sot. Politika e SHBA ka theksin e veçantë pasi u drejtohet edhe qytetarëve ku thotë mos ia dorëzoni pushtetin tuaj kriminelëve. Politika jonë dominohet nga të fortë”, – tha ai.
Ndër të tjera, Koçi u shpreh se ata që i cilësoi si të fortë sipas tij tashmë kanë krijuar pushtet financiar dhe tentojnë që të kërcënojnë dhe të kërkojnë tendera publikë. Madje sipas Koçit edhe në Fier ka elementë të tillë që janë një potencial i rrezikshëm për fushatën elektorale e më pas për financat publike.
“Kemi diskutuar edhe më parë të fortët kanë krijuar pushtet financiar dhe ekonomik që në fakt përkthehet në pushtet politik, ky lloj pushteti është i konsiderueshëm në shoqëri disa nga këto subjekte dëgjohen në shoqëri fatkeqësisht kjo është e vërtetë dhe ka subjekte politike që e kanë të vështirë që të përplasen me këtë gjëmë dhe kjo kthehet në një kosto qeverisje. Edhe në Fier ka elementë të tillë që janë një potencial i rrezikshëm për fushatën elektorale, janë rrezik pastaj edhe për asetet publike financiare”, – tha ai.
Sakaq, Koçi bëri me dije se i druhet këtij fenomeni pasi mund të devijojë vota, që mund të ishte natyrshëm në favor të PS-së. Ai i ftoi qytetarët që të denoncojnë edhe me prova.
“Unë mendoj se, në momente krizash, pandemia ka goxha individë të cilët e kanë të vështirë jetesën, oferta për të shitur votën mund të jenë tepër aktive dhe subjekte politike që janë profesioniste për këtë punë. Është një fenomen që ne i druhemi në kuptimin moral, por edhe një druajtje e vërtetë pasi mund të devijojë vota, që mund të ishte natyrshëm në favor të PS-së. Kërkojmë që qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe të denoncojnë edhe me prova”, – tha Koçi.
Diskutime rreth kësaj post