Kryeministrja aktuale britanike, Theresa May, privatisht ka paralajmëruar një muaj përpara referendumit të “Brexit”-it se kompanitë e huaja në vend do të largoheshin nga vendi, nëse Britania do të votonte për largimin nga Bashkimi Europian.
Ka qenë një bisedë e saj, e botuar nga gazeta prestigjioze britanike “The Guardian”, ku zonja May gjatë një bisede me bankierët e bankës amerikane të investimeve “Goldman Sachs” në muajin maj, ndryshe nga komentet e saj të kujdesshme në publik ka shprehur shqetësimet e saj për daljen e vendit nga BE-ja.
Gjatë bisedës me bankierët, sipas “The Guardian”, Theresa May theksonte:
“Unë mendoj se argumentet ekonomike janë të qarta. Mendoj se të qenit pjesë e një blloku tregtar 500 milionësh është i rëndësishëm për ne. Shumë njerëz do të investonin në Britani për faktin se ne jemi në Europë. Ndaj, padyshim ka përfitime për ne në aspektin ekonomik”.
Në takimin me “Goldman Sachs”, kryeministrja aktuale ishte e bindur një muaj përpara referendumit të qershorit se, siguria e Britanisë do të ishte më e garantuar duke qëndruar në Europë, për shkak të instrumenteve të tilla si urdhërarrestet europiane apo marrëveshjeve për bashkëpunimin në fushën e shërbimeve të kundërzbulimit dhe forcave policore.
Edhe pse nga zyra e Kryeministrisë këmbëngulin se komentet e bëra nga zonja May me bankierët e “Goldman Sachs” janë në vijimësi me ato të bëra në publik, sërish ato janë të ndryshme në tone, nga komentet për “Brexit”, që nga koha kur ajo është bërë kryeministre pas rezultatit të referendumit.
Qeveria britanike e “Brexit” ka faktikisht një kryeministre dhe një Sekretar të Jashtëm, që ose kanë qenë pro qëndrimit në BE, ose në rastin më të paktë kanë qenë të dyzuar, siç ishte edhe rasti i shefit të diplomacisë britanike, Boris Johson, ish-kryebashkiak i Londrës.
Diskutime rreth kësaj post