Mosmarrëveshjet mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim janë thelluar edhe më tej. Viti 2020 pritet që të jetë i nxehtë në aspektin politik, por po jepen sinjale se ky vit do të jetë vendimtar edhe sa i takon bashkëpunimit mes PD dhe LSI.
Përveç mosfirmosjes së koalicionit, një çështje e nxehtë që përplas palët është edhe reforma zgjedhore. Gjatë kësaj jave, opozita pritet të dalë me propozime konkrete sa i takon reformës zgjedhore, por pika që ndan opozitën është financimi i partive nga shteti. Në artikulimin e saj në daljet publike, Partia Demokratike e ka bërë të qartë se është dakord që paritë të financohen nga shteti. Sakaq LSI nuk e mbështet këtë pikë, duke bërë kështu që të distancohet nga Partia Demokratike.
Basha mbledh grupin për reformën zgjedhore
Kreu i opozitës Lulzim Basha mblodhi dje grupin e punës për çështjen e reformës zgjedhore. Basha dhe aleatët e tij janë shprehur se reforma zgjedhore është rruga më e sigurt për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Pritet që PD të dalë me propozime konkrete pas kësaj mbledhje, të cilat do t’i hapin rrugë një debati dhe konsultimi publik. Theksojmë se procesi i reformës zgjedhore ka pësuar një ngërç, pavarësisht se kjo reformë dhe finalizimi i saj ka qenë një nga kushtet e Bundestagut. Sakaq një nga akuzat që PD ka hedhur ndaj qeverisë ka qenë së shtyrja e gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e tërmetit, ishte një tentativë për të penguar reformën zgjedhore. Mes të tjerash u bë më dije se, me propozimet konkrete për reformën zgjedhore, PD synon veç të tjerash, të nxjerrë në pah edhe angazhimin e opozitës për të miratuar me konsensus një reformë zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR.
LSI kundër PD
Por po dje kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka dalë hapur kundër kreut demokrat Lulzim Basha sa i takon reformës zgjedhore, duke refuzuar financimin e partive nga shteti. Teksa ishte e ftuar dje në një studio televizive, Kryemadhi foli për reformën zgjedhore, ajo tha se opozita nuk është duke negociuar me kryeministrin Edi Rama për këtë reformë, si edhe përmendi qëndrimin e opozitës në tryezat e mbajtura nga OSBE-ODIHR. Më tej ajo sqaroi edhe pikën se ku ndahet LSI nga PD, që është ajo të cilën e përmendëm edhe më sipër, pra financimi i partive.
“Nuk kemi qëndrim ndryshe sa i takon tryezave të OSBE dhe ODIHR, por kemi një qëndrim ndryshe sa i takon financimit të partive nga buxheti i shtetit. Por pothuajse po biem dakord edhe me PD për këtë, sepse ne mendojmë që taksapaguesit shqiptarë nuk kanë pse të paguajnë për aktivitetet e partive politike qofshin ato parlamentare ose jo. Taksat e shqiptarëve nuk dalin për arsim edhe shëndetësi”, – ka deklaruar dje Kryemadhi.
Më tej kryetarja e LSI u pyet nga gazetari i TCH në lidhje me financimin e fushatave të partive politike. Duke qenë se LSI nuk është dakord që financimi të bëhet nga buxheti i shtetit, ai e pyeti Kryemadhin se si do të realizohen këto fushata duke qenë se disa prej tyre kanë qenë vërtet luksoze dhe kanë kushtuar shumë. Sakaq Kryemadhi është përgjigjur duke thënë se partitë mund t’i financojnë vetë këto fushata pasi nuk kanë shumë kosto.
“Partitë mund t’i bëjnë vetë nga financimet e tyre, nuk nevojitet kosto shumë e madhe. Fushata më luksoze janë bërë nga partitë kur kanë qenë në qeveri. Mjafton të masni metër katrorët e banesave për të kuptuar se sa kushtojnë. Flamujt nuk kanë aspak kosto, i porosit në Kinë dhe u zgjidh”, – u shpreh Kryemadhi.
Diskutime rreth kësaj post