Shqipëria mbetet në krye të sugjerimeve të vendeve që duhet të vizitohen në 2024 edhe nga mediat britanike.
Tabloidi “The Mirror” e rendit vendin tonë të parin në një listë të destinacioneve kryesore për këtë vit. Në shkrim thuhet se pushuesit e zgjuar kanë zbuluar këtë destinacion piktoresk, miqësor dhe me leverdi i cili po ofrohet gjithnjë e më shumë nga operatorët turistikë në Mbretërinë e Bashkuar.
“The Mirror” shkruan se kryeqyteti Tirana është kozmopolit me muze interesantë, ndërsa qyteti i dytë Durrësi ofron një amfiteatër romak dhe bukuri të tjera arkeologjike.
Gazeta përmend edhe zonat e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, si Gjirokastra me pasurinë e saj arkitekturore.
“Shumica e britanikëve do të shkojnë në rivierën shqiptare me çmime të mira në plazhe dhe resorte të bukura si Saranda. Në brendësi, liqenet e Shkodrës dhe Bovillës plus malet e Parkut Kombëtar të Thethit duhet të zbulohen”, citon gazeta.
Tabloidi britanik përmend edhe ushqimin shqiptar që sipas tij përmban pjata të shijshme dhe të shëndetshme mesdhetare.
Shqipëria renditet në krah të Kretës, Saksonisë, Arubës apo dhe Mauritius. Që në ditët e para të 2024 kanë qenë të shumta mediat dhe agjencitë ndërkombëtare që renditin Shqipërinë si destinacion kryesor për pushime.
Vitin e kaluar vendi ynë shënoi një rekord me mbi 10 milionë turistë të huaj.
Diskutime rreth kësaj post