Katër ditë më parë, sipas një njoftimi të policisë u raportua se një shtetas nga Elbasani ka vjedhur një mjet tip Lamborghini, me vlerë 250 mijë euro për ta shitur në Gjermani.
Mendu Duka nga Elbasani i arrestuar nga policia ka paraqitur një kontratë qiramarrjeje, u ka thënë hetuesve se ai ka një kontratë me kompaninë në Gjermani dhe kjo kontratë përfundon në datën 2 shtator.
Në këto kushte, Prokuroria e Tiranës i kërkoi Gjykatës caktimin ndaj tij të masës së sigurisë “Detyrim paraqitjeje” deri në sqarimin e rrethanave.
Sipas kësaj kontrate , 38-vjeçari ka paguar një shumë prej 9 mijë eurosh për marrjen me qira të mjetit dhe është firmosur në datën 1 korrik, me afat deri në 2 shtator të këtij viti.
Njoftimi i Policisë
Disa ditë më parë, Policia bëri të ditur arrestimin e 38-vjeçarit dhe shpalljen në kërkim të një tjetër shtetasi, si bashkëpunëtor në vjedhje. Sipas Policisë, makina ka hyrë në Shqipëri në datë 13 korrik, ndërsa në 30 korrik është denoncuar e grabitur në Gjermani. “Falë një pune të mirorganizuar nga burime të ndryshme operative, rezultoi se më datë 13.07.2019, në territorin e Shqipërisë ka hyrë nga një shtetas një automjet i tipit ‘Lamborghini Huracán’.
Ky mjet, nga shteti gjerman më datë 30.07.2019 është deklaruar i vjedhur. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.D., 38 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Shtutgart, Gjermani, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘Trafikimi i mjeteve motorike’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’.
Policia shpalli në kërkim për të njëjtat vepra penale shtetasin B.M., 43 vjeç, banues në Gjermani (bashkëpunëtor)”, njoftoi Policia. Policia tha se ka dyshime se Mendu Duka do ta shiste mjetin e deklaruar të grabitur në Shqipëri dhe se makina ka një vlerë monetare rreth 250.000 euro.
Diskutime rreth kësaj post