Kosova do ta ketë ushtrinë e saj këtë vit. Presidenti Hashim Thaçi, në një intervistë për Top Channel, thotë se do të tentojë që të bindë serbët që të jenë pjesë e procesit, por askush nuk mund të vendosë veto.
Thaçi thotë se beson tek procesi i ripajtimit me Serbinë dhe vlerëson se dialogu duhet të ketë një dinamikë tjetër në mënyrë që çështjet të marin zgjidhje sa më shpejt.
TCH: Zoti president, i jeni futur procesit të krijimit të Ushtrisë së Kosovës. Edhe senatori John McCain tha se do ta keni mbështetjen e SHBA për këtë. Përse i duhet Kosovës një ushtri?
Hashim Thaçi: Kosova është vend i pavarur dhe Sovran dhe çdo vend sovran ka ushtrinë dhe synimi ynë, vizioni ynë është të jemi pjesë e NATO-s. Pa ushtri nuk ka partneritet për paqe dhe nuk ka NATO. Ne do të punojmë që ushtria e Kosovës të jetë ushtri e të gjithë qytetarëve dhe një ushtri shumetnike për t’i shërbyer çdo qytetari, në çdo cep të vendit, për të ruajtur integritetin dhe sovranitetin e Kosovës. Ne do të punojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse, në koordinim të plotë me SHBA dhe NATO dhe do t’i shterrojmë të gjitha mundësitë për të diskutuar edhe me serbët. Por askush nuk mund ta pengojë këtë proces deri në pafundësi dhe të vërë veto.
TCH: A mund të thuhet se ju keni një afat tuajin se kur ose sa mund të prisni që serbët t’ju kthejnë një përgjigje? Si do t’i bindni serbët?
Hashim Thaçi: Duke iu drejtuar Kryesisë së Kuvendit. Duke mos lëvizur edhe për pak kohë për të futur në rend të ditës çështjen e transformimit të FSK në Forcat e Armatosura të Kosovës i kam dhënë serbëve të Kosovës edhe një mundësi për të diskutuar. Ndihemi mirë që jemi në procesin e integrimit të 68 serbëve në FSK dhe ka edhe të tjerë. Ata ndihen mirë dhe i shërbejnë vendit dhe qytetarëve. Tani procesi është më dinamik dhe më gjithëpërfshirës dhe vazhdojnë përpjekjet për të bindur serbët të marrin pjesë në votim në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Por mund të theksoj se procesi i themelimit të ushtrisë është i pandalshëm, i pakthyeshëm dhe do të ndodhë në javët dhe muajt e ardhshëm.
TCH: Mund të thuhet se do të bëhet këtë vit patjetër?
Thaçi: Përfundimisht do të ndodhë.
TCH: Një çështje e rëndësishme që është përmendur nga Bashkimi Evropian, por edhe aktorë të tjerë është vazhdimi i bisedimeve me Serbinë. Aleksandar Vuçiç do të jetë president i ri i Serbisë, a do të kalojë dialogu në nivel presidentësh?
Hashim Thaçi: Dialogu duhet të udhëhiqet nga njerëz që kanë edhe mandat edhe përgjegjësi edhe legjitimitet. Kemi rezolutën e Kuvendit të Kosovës që duhet ta respektojmë. Kosova do t’i përgjigjet dialogut në bazë të ftesave të Bashkimit Evropian, zonjës Mogherini dhe do të kërkojmë një dinamizim të interesimit të Amerikës, që SHBA jo vetëm të miratojnë dinamikën pasive të Bashkimit Evropian, por t’i japin energji dhe substancë këtij dialogu të mundshëm në të ardhmen për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe pajtimin ndërshtetëror Kosovë-Serbi. Unë besoj tek ky pajtim dhe po punoj në këtë drejtim.
TCH: Jeni të gatshëm të ketë një format tjetër, një konferencë paqeje? Si e shihni zgjidhjen e këtij problem?
Hashim Thaçi: Unë i besoj përpjekjeve aktive dhe të gjithanshme që për një periudhë të shkurtër kohore të përmbyllen çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura. Nuk jam në favor të një procesi zvarritës dhe raskapitës deri në pafundësi. Ne duhet të ulemi dhe të diskutojmë në mënyrë shumë dinamike dhe me një agjendë shumë të qartë, që do të ishte një marrëveshje më e madhe politike që do të nënkuptonte një lloj përpjekje për normalizimin e plotë, fqinjësi të mirë dhe pajtim ndërshtetëror Kosovë-Serbi. Jam i bindur se gjërat që mund t’i zgjdihim për tre muaj nuk kemi nevojë t’i zvarrisim për tri apo pesë vite.
Diskutime rreth kësaj post